Qeveria gjermane prezanton planin për dekarbonizimin e ngrohjes
2023-04-21 11:40:34

Foto nga VCG

Qeveria gjermane miratoi një amendament në Aktin e Energjisë së Ndërtesave, i cili do të kërkojë që duke nisur nga viti 2024 sistemet e sapoinstaluara të ngrohjes të furnizohen me energji të paktën 65 për qind nga energjia e rinovueshme.

“Ngrohësit ekzistues mund të vazhdojnë të funksionojnë. Ngrohësit e prishur mund të riparohen. Por me sistemet e reja të ngrohjes, kthesa e ngrohjes duhet të fillojë tani”,- deklaroi ,inistri për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimaterik, Robert Habeck, citon “Xinhua”.

Gjermania synon të ndalojë plotësisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile në sistemet e ngrohjes deri në vitin 2045.

Për të mbështetur zëvendësimin e sistemeve të vjetra të ngrohjes fosile me sisteme të reja miqësore me klimën, blerja do të subvencionohet deri në 30 për qind.

Shoqata e Qyteteve Gjermane po bën thirrje për përmirësime të planeve. “Ne e dimë se tani duhet të vendosim kursin për një furnizim me ngrohje neutrale ndaj klimës”,- tha shefi ekzekutiv Helmut Dedy për Agjencinë Gjermane të Shtypit (DPA).

Sipas Agjencisë Gjermane të Mjedisit, sektori i ndërtesave reduktoi emetimet me 5.3 për qind në rreth 112 milionë tonë ekuivalent CO2 në vitin 2022. Megjithatë, sektori vazhdoi të tejkalojë objektivin e tij të emetimeve të vendosur sipas Aktit të Ndryshimeve Klimaterike të vendit. (Irma)