Performanca e sistemit bankar në muajt e parë të vitit 2023
2023-04-21 09:33:54

Banka-e-Shqiperise-(Foto Monitor)

Banka-e-Shqiperise-(Foto Monitor)

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt 2023, fitimi i 11 bankave të nivelit të dytë u rrit me 28 përqind, në krahasim me periudhën janar-shkurt 2022.   Ky është rezultati më i lartë për periudhën dymujore që prej vitit 2015. Rritja e fitimit ka sjellë një përmirësim të dukshëm edhe në treguesit e rentabilitetit bankar. Kthimi nga kapitali i sektorit, mbi bazë vjetore, u rrit në 17 përqind, nga 7.9 përqind që kishte qenë në janarin e vitit 2022. Ndërsa kthimi nga aktivet bankare u shtua në 2 përqind, nga 0.9 përqind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet bankare kanë arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Në këtë sektor mbizotëron optimizmi dhe gara për oferta sa më tërheqëse për sipërmarrësit dhe qytetarët. Industria bankare ka rritur ndjeshëm edhe përqindjen e interesave të depozitave të qytetarëve.

Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka  me një përvojë mbi 16 vjeçare në banking qëndror dhe atë tregtar, në tregjet e kapitaleve dhe letrave me vlerë në Shqipëri, si dhe rreth 8 vjet eksperiencë akademike, trajton performancën e sistemit bankar në tremujorin e parë të vitit.

 

 

Prof. Elvin Meka në intervistë për CMG

Prof. Elvin Meka në intervistë për CMG

CMG: Prof. Meka, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt 2023, fitimi i 11 bankave të nivelit të dytë tek ne u rrit me gati një të tretat, në krahasim me periudhën janar-shkurt 2022. Si e gjykoni ju këtë zhvillim?

 

Prof. Elvin Meka: Ekzistojnë dy faktorë që kushtëzojnë një ecuri të tillë të mirë në dy muajt e parë të vitit. Pikë së pari, ka të bëjë me rritjen e shpejtë të normave të interesit. Kjo është përkthyer në interesa më të larta për huatë bankare, si dhe për çdo lloj produkti tjetër. Faktori i dytë ka të bëjë me uljen e kredive të këqija, ose kredive me probleme. Bankat duhet të mbulojnë me provigjone kreditë me probleme dhe ulja e tyre rrit pjesën e fitimit.

Në fund të vitit që shkoi, vitit 2022, u shënua dhe niveli më i ulët historik i kredive të këqija në sistemin bankar, me vetëm 5 përqind. Ky nivel u përkthye, në këto dy muajt e parë të këtij viti, në një normë më të lartë fitimi të bankave, krahasuar me dymujorin e parë të vitit të kaluar.

Këta janë faktorët bazë që kanë kushtëzuar një ecuri të mirë të sistemit bankar jo vetëm gjatë vitit 2022, por edhe gjatë këtyre muajve të parë të këtij viti.

 

Prof.Elvin Meka (Foto CMG)

Prof.Elvin Meka (Foto CMG)

CMG: A shkon në realitetin e sotëm bankar shqiptar shprehja proverbiale e drejtuesit veteran të Rezervës Federale Amerikane Alain Greenspan, se “kur bankat ndihen mirë, të gjithë ne duhet të ndihemi mirë”? 

Prof. Elvin Meka: Thënë nga një ekspert si Greenspan bën sens një konsideratë e tillë. Në një farë mënyre, ka të drejtë, pasi historia jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, ka evidentuar jo pak raste, kur krizat që kanë përfshirë sistemin bankar, kanë pasur pasoja dhe efekte shumë negative në ekonomi dhe në shoqëri. Kujtojmë Depresionin e Madh të viteve 1929-1933 në SHBA, ku në këtë vend  u mbyllën 50-60 përqind të bankave dhe Amerikës ju deshën të paktën shtatë vjet për të dalë nga ajo krizë, pa llogaritur efektet e shumta në ekonominë botërore.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për krizën e vitit 2007-2008, po në SHBA. Për fat të keq, historia vijon të përsëritet. Në këtë periudhë patëm një krizë shumë të madhe bankare, brenda sistemit bankar amerikan, e cila u kthye shumë shpejt në një krizë globale. Pra, jo vetëm të bankave dhe të sistemeve bankare, por edhe për të gjithë ekonominë globale.

Për vetë shkallën e ndërlidhjes që ka sistemi bankar me ekonominë dhe rolin vital që ky sistem luan në mbështetjen që i jep zhvillimit të një ekonomie, të qenit mirë të bankave është thelbësore. Nëse nuk do të kemi banka në formë të mirë, në mënyrë të pashmangshme, kjo do të përkthehet në halle të mëdha, nëse mund të shprehemi kështu, në të gjithë realitetin ekonomik dhe në shoqëri. Veprimet shkojnë zinxhir. Në momentin që një bankë vuan, fillojnë dhe vuajnë të gjitha të tjerat.  

Për të shpëtuar këto banka, patjetër që do të duhet një ndërhyrje e fortë dhe energjike nga më shumë se një aktor në ekonomi dhe qeverisje. Më mirë të themi, do të jetë një ndërhyrje e një grupimi interesi, pasi nuk mjafton vetëm ndërhyrja e autoriteteve financiare mbikqyrëse të sistemit. Në këto raste ndërhyn edhe vetë Shteti, institucionet e tij, madje edhe institucionet ndërkombëtare vijnë në ndihmë.

Në ndërhyrje krijohet një farë pështjellimi dhe kërkohen shumë veprime për t’u kthyer në gjendjen e mëparshme. Për të shpëtuar nga e keqja më e madhe, falimentimi në masë i bankave, na duhet të bëjmë sakrifica në ato që quhen efekte anësore.

Këto sakrifica patjetër që do të përkthehen në vuajtje për pjesën tjetër të ekonomisë dhe shoqërisë, duke përfshirë familjet, individët, ekonominë reale, sipërmarrjen e kështu me rradhë.

    CMG: Sa ka ndikuar rritja pesë e herë e normës bazë të interesit gjatë vitit të kaluar, nga ana e Bankës së Shqipërisë, në performancën pozitive të sotme të sistemit bankar? Madje kemi dhe një rritje të gjashtë në mars të këtij viti.

Prof. Elvin Meka: Një nga faktorët madhorë që ka ndikuar në këtë ecuri të mirë të sistemit bankar është rritja e shpejtë e normave të interesit. Pra u rritën pesë herë vitin e kaluar, për të kaluar nga 0.5 në 2.75 përqind.

Për vetë mënyrën se si funksionon sistemi, se si zhvillohen operacionet bankare, përgjigjja që i jepet kësaj rritjeje të interesit në huatë e reja ose në huatë ekzistuese është pothuajse e menjëhershme.

Ndërkohë, bankat, në përgjigje të normave më të larta të interesit nga banka qendrore, gradualisht kanë filluar të rrisin edhe përqindjet e depozitave bankare. Ky produkt u bë më i shtrenjtë për vetë bankat, por, nga ana tjetër, rritja e përqindjeve të interesit mbi depozitat ka qenë gjithnjë më e vogël se sa rritja e përqindjeve të interesit mbi huatë. Në rast se për kreditë, kjo rritje është pasqyruar menjëherë, rritja në normat e interesit të depozitave ka ndodhur më ngadalë. Si të thuash, depozitat e “marrin kthesën” pak më vonë. Kjo shpjegon edhe atë ecuri të mirë të bankave gjatë vitit 2022. Sigurisht që ky efekt vazhdon të ndihet edhe tani, në fillim të vitit 2023.

Nëse norma bazë e interesit e bankës qendrore do të vazhdojë të rritet, ose do të qëndrojë këtu ku është, duke mos u rritur më tej, në raport me tremujorët e mëparshëm të vitit 2022, në mënyrë të pashmangshme rezultati do të jetë më i lartë.

Kjo, jo vetëm pse kreditë ekzistuese do të vazhdojnë të shiten me norma të reja, por edhe çdo lloj produkt i ri huaje do të shitet me nivelin më të lartë të normave te interesit dhe rezultati bankar, ose kthimi mbi investimin, do të jetë më i lartë.

  CMG: Përdorimi i pagesave bankare në distancë dhe i shërbimeve bankare përmes internetit, u shtua gjatë vitit të kaluar dhe është në shtim edhe në këta muajt e parë të këtij viti. Çfarë nënkupton kjo?

Prof. Elvin Meka: Sigurisht që një akses më i madh i popullatës në shërbime të tilla elektronike mundëson kthime më të larta financiare për bankat. Kjo, për vetë faktin se një klientelë e shtuar zakonisht nuk përdor vetëm një lloj shërbimi me bankën, por mund të përdorë edhe produkte të tjera. Ndoshta një pjesë e tyre në internet ofrohen falas, por jo të gjitha janë falas. Për sasi të caktuara ose për produkte të caktuara, klienti është i detyruar të paguajë.

Sjellja në sistem e klientëve të rinj nënkupton kthim më të lartë, fitim më të rritur për bankën. Sikur edhe vetëm një llogari të thjeshtë të hapësh në bankë, je i detyruar të paguash një tarifë 150 lekë ose 200 lekë në muaj, për ta mbajtur llogarinë hapur. Nëse këtij sistemi i shtohen qindra dhe mijëra klientë të rinj, kryesisht brezi i ri, të cilët janë më të avancuar, më të prirur për të përdorur shërbime të online banking, atëhere në mënyrë të pashmangshme, bankat, duke ofruar të njëjtën platformë për të gjithë, sigurojnë më shumë të ardhura nga bërja e klientëve të rinj.

Me shtimin e mëtejshëm të produkteve dhe të shërbimeve online, si dhe të aksesit elektronik gjithnjë e më të madh, kjo nënkupton më shumë karta të shitura,  të cilat realizojnë më shumë xhiro dhe të ardhura për bankat. E gjitha kjo çon ujë në një ecuri më të mirë dhe në kthim më të lartë të investimit.   

   CMG:  Ju e përmendet nivelin e ulët të kredive me probleme, por cilësia a portofolit të kredisë pritej të jepte ndikim negativ në rezultatin financiar të bankave. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Pse, sipas jush?

Prof. Elvin Meka: Në Shqipëri ka një specifikë që një pjesë e madhe e huave, të cilat individët dhe sipërmarrësit kanë marrë, është në monedhë të huaj. Pra është kryesisht në euro. Për shkak të faktit që euro në tregun tonë brenda vitit 2022 ka një shvlerësim prej të paktën 5-5.5 përqind, të gjithë këta operatorë, pra qofshin biznese ose individë, të cilët kanë marrë një hua në euro, dhe të ardhurat e tyre i kanë në lekë, po i shlyejnë më lehtë këstet e kredive. Teknikisht u ka rënë më mirë, të paktën kursejnë 5 përqind nga fondet që kishin planifikuar për të shlyer kredinë në monedhë të huaj.

Në njëfarë mënyre, ky forcim i lekut shqiptar i ka ndihmuar huamarrësit shqiptarë. Edhe në rastet e rritjes së normës së interesit për huatë, një pjesë e mirë e rritjes së përqindjes së kredisë është kompensuar nga shvlerësimi i euros në raport me lekun. Kjo nuk e ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të huamarrësve, të cilët, përveç problemeve që kishin me inflacionin, u duhej të paguanin dhe një këst më të shtrenjtë kredie.

Në rastin e huave në euro në Shqipëri, që afërsisht përbëjnë rreth gjysmën e portofolit të kredive tek ne, të paktën gjysma e problemeve e lidhur me mospagimin në kohë të kredive, është zgjidhur nga ky shvlerësim i euros, duke krijuar një efekt kompensues të rritjes së normave të interesit.

Në periudhën në vijim, mund të pritet një rritje e lehtë e kredive të këqija dhe kjo është e kuptueshme. Pasi jo vetëm rritja e vazhdueshme e inflacionit, por edhe mbajtja e një niveli të lartë të normave të interesit, do të fillojë të ndihet.

Efektet zakonisht nuk fillojnë kaq shpejt. Do të kalojë një periudhë kohe të paktën gjashtë deri në tetë muaj, që nga rritjet më të forta ose më të fundit të normave të interesit. Sigurisht që, nëse do të vijojë të përjetohet një shvlerësim i mëtejshëm i euros në raport me lekun, do të gjendemi pothuajse në të njëjtën situatë si në vitin që kaloi. Pra, do të kemi një shvlerësim të mëtejshëm të euros në 5-6 përqind dhe do të vazhdojë të shpresohet se edhe niveli i kredive të këqija do të luhatet në 5-6 përqind. Ky tregues, deri në nivelin 6 përqind të totalit të kredive, nuk konsiderohet një nivel për t’u shqetësuar, për realitetin shqiptar.

Inflacioni (Foto Express)

Inflacioni (Foto Express)

      CMG:  Folët për lehtësinë e shlyerjes së huave në monedha të huaja, kryesisht në euro. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për lehtësinë e shërbimit, shlyerjes së borxhit tonë publik, duke qenë se më shumë se gjysma e tij është në monedha të huaja, kryesisht në euro?

 

Prof. Elvin Meka: Sigurisht që për qeverinë, kjo do të përkthehet në një “lehtësim” të barrës së borxhit publik në terma të lekut, pasi qeveria shqiptare Produktin e Brendshëm Bruto të vendit dhe borxhin publik e mat në lekë.

Njësia në lekë është e pandryshuar, në raport me monedhën e huaj. Në rast se ai borxh në monedhë të huaj, do të konvertohej sot në lekë, atëhere qeveria, pa bërë asgjë, i bie që të ketë shlyer 5 përqind të borxhit. Pra, të ketë marrë më pak borxh.

Në terma kontabël, qeverisë i intereson që leku të jetë gjithmonë dhe më i fortë në raportin e tij të këmbimit me monedhat e huaja, pasi i lë më shumë hapësirë, në planifikimin e buxhetit dhe në menaxhimin e borxhit. Qeveria mund të thotë: unë borxhin e huaj mund të vazhdoje ta rris me disa pikë përqindje, por pa e rritur në terma leku.

Kjo shpjegon edhe një pjesë të punës së qeverisë për uljen e borxhit. Në fakt, qeveria nuk ka ulur borxhin, por borxhi është vetëulur, nëse shprehet në lekë. Po ta marrim në krahun e kundërt, pra, sikur ta vlerësonim prodhimin e brendshëm bruto dhe borxhin në monedhë të huaj, i bie që të dy këta tregues t’i kemi më të rritur.

Duhen parë gjërat pak më thellë. Qeveria e ka tashmë mundësinë që të konvertojë ndoshta një pjesë të borxhit të huaj, me borxh vendas, pra, duke marrë hua në lekë dhe duke shlyer një pjesë të borxhit që e ka në monedhë të huaj.

Duhet të bëjë kujdes, pasi një situatë e tillë mund të kthehet në të kundërt në periudha të tjera, kur, për arësye të caktuara, mund të ndodhë që leku të mos forcohet më, por të shvlerësohet. Kjo do theksojë akoma dhe më tepër barrën e borxhit të huaj. Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme, për të mos u nxituar dhe të mendojë që, meqë borxhi në terma leku po ulet, atëhere o burra të vazhdojmë të marrim hua në monedhë të huaj, pasi kjo do të na kushtojë më lirë në lekë edhe në shlyerje, edhe në raportim.

Por situata mund të kthehet në të kundërt dhe ky është rreziku i kursit të këmbimit, të cilit asnjë operator në treg nuk mund t’i shmanget. Mund të ndodhi situata e kundërt, sikurse u vu re pas krizës së vitit 2008, ku gjatë vitit 2009 dhe 2010, leku shqiptar u shvlerësua në raport me euron në nivel 20-25 përqind.

Kjo pati efekt shumë të fortë në rritjen e menjëhershme të kredive të këqija në sistem, efekt i cili u zgjat në kohë deri në vitin 2015, për të arritur në një nivel rekord 25 përqind.  

Këshilla që mund t’i jepet qeverisë është ta shikojë situatën sikur jemi të krahun tjetër, pra që leku mund të na shvlerësohet. Duhet të jemi të përgattur në çdo moment që ekspozimi ndaj borxhit të huaj të jetë sa më shumë i menaxhueshëm.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli