Kina rrit mbështetjen për popullarizimin e shkencës
2023-04-21 10:36:36

Foto nga VCG

Shoqata Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë (CAST) ka rritur mbështetjen për popullarizimin e shkencës, duke ofruar mundësi për zhvillimin e karrierës në këtë sektor.

Shoqata ka filluar të pilotojë zbatimin e vlerësimit të titujve profesionalë midis punonjësve të popullarizimit të shkencës në disa institute në Pekin.

“Kjo do të jetë e dobishme për të forcuar më tej ekipin profesional të popullarizimit të shkencës në Kinë”,- bëri të ditur shoqata, citon “Xinhua”.

“Ekziston një nevojë urgjente për një ekip profesional talentesh që është i gatshëm të promovojë popullarizimin e shkencës dhe di si ta bëjë këtë, në mënyrë që t'i shërbejë zhvillimit me cilësi të lartë të punës së popullarizimit të shkencës në epokën e re”,- tha Wang Ting, drejtor i Institutit Kërkimor të Kinës për Popullarizimin e Shkencës.

Zbatimi i vlerësimit të titujve profesional është një mjet i rëndësishëm për të udhëhequr rritjen e talenteve në këtë sektor dhe gjithashtu do të forcojë njohjen dhe vëmendjen e njerëzve ndaj punës së popullarizimit të shkencës, shtoi Wang.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë, mbi 1.8 milionë persona punonin me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme për popullarizimin e shkencës në vend në vitin 2021, një rritje prej 0.8 për qind nga viti 2020. (Irma)