Shkëmbimet Kinë-Europë dhe ndikimi pozitiv në ekonomi
2023-04-21 10:10:12


Pas Festivalit të Pranverës, Pekini zyrtar ka pritur shumë liderë botërorë, të cilët kanë takuar Presidentin Xi Jinping dhe drejtues të lartë kinezë. Lehtësimi i masave shtrënguese të pandemisë Covid 19, i dha një shtysë të madhe rifillimit të motorëve të zhvillimit ekonomik dhe aspekteve të tjera të jetës në Kinë.

Liderë të vendeve të rëndësishme europiane, presidenti fracez Macron, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, kryeministri spanjoll Sanchez, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock ishin mysafirë në Pekin së fundmi. Takimet e liderëve kinezë me homologët e tyre europianë pritet të kontribuojnë në rritjen e shkëmbimeve dy dhe shumëpalëshe.

Dr. shkencave ekonomike Enriko Ceko në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, ndan opinionin e tij rreth këtyre takimeve dhe rritjes ekonomike të Kinës në tremujorin e parë të këtij viti.

CMG: Takimet e vizitorëve të nivelit të lartë nga Europa me lidershipin kinez përveç se në planin diplomatik dhe gjeopolitik, pritet të ndikojnë dhe në shkëmbimet ekonomike. Komenti juaj për këtë

Dr. Enriko Ceko: Festivali i Pranverës karakterizohet nga vizita të shumta në Kinë, jo vetëm të qytetarëve kinezë, por dhe të vendeve të tjera, por pritet që 3-4 vitet e ardhëshme të ketë një shtim të këtyre vizitave.Pritet që ndryshimet ekonomike, politike, sociale, por dhe demografike që po ndodhin në botë, do të detyrojnë drejtuesit e vendeve të ndryshme të botës që të kenë kontakte, të konsultohen dhe të marrin mendime nga drejtuesit e Kinës.

Vizitat e presidentit Macron, të presidentes së KE-së von der Leyen, kryeministrit të Spanjës, ministres së jashtme të Gjermanisë  tregojnë se nuk është thjesht se roli i Kinës në arenën ndërkombëtare po rritet, por me rëndësi është pozicioni që ka Kina në problemet me të cilat përballet njerëzimi sot. Duke patur parasysh rolin që ka Kina në OKB dhe në pothuajse të gjitha organizatata e tjera të rëndësishme ndërkombëtare, duke shtuar këtu dhe fuqinë ekonomike të monedhës kineze, bëjnë që komuniteti ndërkombëtar të konsultohet me Kinën.

CMG: Dukej sikur këta liderë europianë sikur mezi kishin pritur hapjen post pandemike të Kinës, ndonëse edhe gjatë pandemisë ka patur konferenca por ato kanë qenë virtuale. Nëse i referohemi vizitës së presidentit Macron në Kinë ai u shoqërua nga një ekip i gjerë prej afro 60  personalitete të biznesit, politikës dhe kulturës dhe u nënshkruan mbi 30 marrëveshje dypalëshe

Dr. Enriko Ceko: Po, mbi 30 marrëveshje të rëndësishme jo vetëm për Kinën dhe Francën, por janë marrëveshje përtej të cilave duhet të shikojmë përfitimin që ka jo vetëm rajoni dhe Europa, por dhe rajoni aziatik. Nëse shikojmë Kinën para pandemisë dhe pas saj vërejmë që qarkullimi i parasë në territorin e saj pothuajse është dyfishuar.  Kjo do të thotë që nëse shtojmë shpejtësinë e qarkullimit të parasë, do të krijojmë një motor shumë më të fuqishëm ekonomik në atë rajon ku Kina është drejtuesi kryesor. Me këtë qarkullim paraje ka mundësi për bizneset europiane të bashkëpunojnë me bizneset kineze për të realizuar produkte dhe shërbime, të cilat nuk ngelen në territorin e Kinës por futen në zinxhirin e furnizimit dhe i shërbejnë të gjithë njerëzimit.

Fakti që SHBA e ka deklaruar që një nga aspektet më të rëndësishme që ofron Kina në botën tonë është produktiviteti, tregon shumë për vizitën e presidentit Macron në Kinë. 30 marrëveshjet që u nënshkruan në Kinë nuk prekin thjesht sektorët tradicionalë, të cilët janë diskutuar në Samitin e 9-të të Kinës dhe BE-së në vitin 2006, sepse tani nuk flitet më për bujqësi, produkte dhe tregti, por për ekonomi digjitale, teknologji të informacionit dhe zhvillime të cilat bëjnë të mundur që bizneset europiane dhe ato kineze të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të motorit të sektorit privat të ekonomisë botërore.

CMG: Nëse i referohemi një deklarate të presidentes së KE-së Ursula von der Leyen pas takimit tripalësh që u zhvillua në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin francez Macron, ajo tha se “BE-ja nuk e miraton plotësisht shkëputjen e zinxhirëve të furnizimit dhe synon të forcojë shkëmbimet dhe dialogun me Kinën, të rifillojë tre mekanizmat e dialogut Kinë-BE”. Opinioni juaj për këtë

Dr.Enriko Ceko: Kur flasim për mekanizmat e dialogut duhet t’i klasifikojmë sepse ka disa mekanizma. Në radhë të parë mekanizmi kryesor i dialogut është besimi reciprok dhe respekti midis palëve, që është dhe një nga pikat themelore të Kombeve të Bashkuara. Gjithashu ka të bëjë me bashkëpunimin për të përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare jo vetëm ndërmjet BE-së dhe Kinës, por me një gjithëpërfshirje dhe të vendeve të tjera, Nga ana tjetër kemi aspektin e  bashkëpunimit politik, ekonomik, social midis BE-së dhe Kinës. Në momentin në të cilin ndodhemi shtohen dhe dy elementë të tjerë që janë bashkëpunimi për hapësirën, një ndër elementet shumë të rëndësishëm midis BE-së dhe Kinës për stacionet orbitale. Gjithashtu kemi bashkëpunimin në fushën e mjedisit ku elementet kryesore janë reduktimi i emetimit të dyoksidit të karbonit dhe menaxhimi i mbetjeve.

Kina ka ndërmarrë angazhime shumë të rëndësishme lidhur me reduktimin e emetimit të dyoksidit të karbonit dhe menaxhimin e mbetjeve duke futur për herë të parë në kontinentin aziatik praktika shumë të rëndësishme në mbrojtje të mjedisit.

CMG: Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron Kinën një kontribues kyç në rritjen globale në vitin e ardhshëm, pasi ekonomia e saj parashikohet të rritet me 5.2 për qind në vitin 2023 dhe 4.5 për qind në 2024-n. Si mund të realizohet ky kontribut?

Dr.Enriko Ceko: Nëse rritja ekonomike e Kinës është 5.2 për qind kjo është e barabartë me 1.2-1.3 për qind të rritjes ekonomike globale. Nga kjo duket se rritja ekonomike e botës në vitin 2023 do të jetë të paktën 2 për qind. Edhe për vitin 2024 një kontribut me një rritje ekonomike 4-5 për qind do të thotë 0.9 ose 1 për qind  do të jetë rritja për ekonominë botërore vetëm nga Kina për këtë vit.

Duhet të kemi parasysh që FMN ka pranuar se ende nuk jemi në gjendje që të llogarisim se sa do të jetë rritja ekonomike nëqoftëse të ardhurat për çdo banor të Kinës kalojnë nga 16 mijë dollarë në 18 mijë. Përveç hapit të madh që ka ndërmarrë Kina për zhdukjen e varfërisë kemi dhe një hap tjetër të rëndësishëm që nëse të ardhurat për çdo banor të Kinës rriten nga 16 mijë në 18 mijë dollarë, Kina nuk është më vend në zhvillim, por renditet te vendet e zhvilluara.

CMG: Ndërkohë në një konferencë për shtyp të zëdhënësit të Zyrës Kombëtare e Statistikave të Kinës thuhet se “Të ardhurat e disponueshme nominale për frymë në Kinë ishin rreth 1 579.6 dollarë amerikanë në tremujorin e parë të vitit 2023, me një rritje 5.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dr. Enriko Ceko: Këto janë të ardhurat nominale, kurse të ardhurat reale ishin në shifrat që përmenda më sipër, sepse kur flasim për të ardhurat reale përfshihen dhe të gjitha shpenzimet që bën buxheti i shtetit për popullsinë.

CMG: Kjo ka lidhje dhe me rritjen e konsumit

Dr. Enriko Ceko: Patjetër. Një shtesë prej 2 mijë dollarësh për person do të thotë se nuk kemi më një shoqëri që është e prirur nga një stil jetese që kërkon stabilitet, por një stil jetese që kërkon përmirësim të cilësisë së jetës. Rritja e të ardhurave do të thotë se do të shtohet konsumi në cilësi.

Kur flasim për një shtet që objektivin e vet ka shpërndarjen e mirëqenies në të gjitha shtresat e popullsisë ky është një sukses vërtet për t’u shënuar.

CMG: Ritmi i shpejtë i Pekinit në rifillimin e shkëmbimeve të tij politike, ekonomike dhe kulturore me pjesën tjetër të botës ka ndodhur teksa ai ka përshpejtuar rimëkëmbjen e tij ekonomike që nga tremujori i parë i këtij viti. A do të ndikojnë shifrat në rritje të tremujorit të parë të vitit në rritjen ekonomike vjetore?

Dr. Enriko Ceko: Po të shohim vitin që kaloi në Kinë u zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat ishin një tregues shumë i mirë për mënyrën se cila do të ishte performanca e ekonomisë kineze në të ardhmen dhe shërbejnë si një model për të treguar se kultura, sporti dhe marrëdhëniet midis kombeve mund të bëjnë që të ketë dhe zhvillim ekonomik.

Lidhur me këtë bota moderne sot e ka lënë pas mënyrën e zhvillimit në të cilën kombet mbështeteshin vetëm te një sektor. Po të shohim sot zhvillimin ekonomik të Kinës duhet të përmendim se kemi një rritje të produktivitetit në sektorin primar. Sektori primar në të gjithë botën është ai që siguron lëndët e para, të cilat vijnë nga bujqësia dhe sektori i minierave.

CMG: Kina ka një sistem industrial të plotë dhe aftësi për furnizimin e tregut

Dr. Enriko Ceko: Patjetër. Nga statistikat kemi një rritje rreth 4 për qind të produktivitetit të sektorit primar dhe çdo gjë që prodhohet nga ky sektor shkon në sektorin sekondar, që është ai i përpunimit. Nga ky i fundit kalojmë lehtësisht te sektori i shërbimeve dhe te sektori i katërt dhe i pestë ku kemi të bëjmë me marrjen e vendimeve të nivelit të lartë. Kina është në këtë fazë të zhvillimit në drejtim të përmirësimit të proceseve dhe procedurave.

Ekonomia e vetme që mund të përballojë kërkesën për konsum që ka Perëndimi është ekonomia kineze sepse ajo është e gatshme për shkak të zhvillimit industrial. Asnjë ekonomi tjetër botërore nuk është e gatshme të ofrojë produkte dhe shërbime dhe të plotësojë zinxhirin e furnizimit sepse nuk ka industri të asaj natyre.

Po të shohim inteligjencën artificiale të zhvilluar nuk e ka as India, as Brazili dhe as Afrika e Jugut, por e ka SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Kina. Nëse flasim për ekonomi digjitale ka një hapësirë shumë të madhe midis vendeve që po investojnë në ekonominë digjitale dhe ato që nuk kanë mundësi. Këto të fundit janë vendet e pazhvilluara dhe vendet në zhvillim, ndërkohë që Kina edhe pse quhet vend në zhvillim ka investuar shumë në ekonominë digjitale. Partneri më i përshtatshëm për Perëndimin në këtë aspekt është ekonomia kineze.

Intervistoi Eda Merepeza