Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës organizoi në oborrin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja eventin “Dita e Gjuhës Kineze”, në kuadër të Ditës së Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara. Tema e këtij viti është “Kinezishtja: Promovimi i Dialogut midis Qytetërimeve”.
Wang Dexing, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kinës në Shqipëri, deklaroi se kinezishtja është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë këtij aktiviteti ai tha se, duke u përqëndruar në këtë temë, Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës përgatiti 10 aktivitete festive, në mënyrë që të gjithëve t’u jepet mundësia të kenë një kontakt të ngushtë me gjuhën kineze dhe të përjetojnë sharmin unik të kulturës kineze.
Në emër të Ambasadës Kineze, ai falënderoi përzemërsisht mësuesit dhe studentët e Institutit Konfuci.
“Vitet e fundit, ndërsa Kina vazhdon të zhvillohet dhe të lidhet më ngushtë me botën, gjithnjë e më shumë njerëz po mësojnë kinezisht. Jemi shumë të kënaqur që shohim se me mbështetjen e qeverisë shqiptare, veçanërisht të Universitetit të Tiranës, Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës është zgjeruar dita ditës, ka pasuruar sistemin e tij të mësimdhenies dhe ka krijuar kushte të favorshme për miqtë e moshave të ndryshme në Shqipëri për të mësuar kinezisht, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e mësimit të gjuhës kineze”,- tha i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kinës.
Ai theksoi se Ambasada e Kinës në Shqipëri ka mbajtur një bashkëpunim të mirë me Universitetin e Tiranës dhe është e gatshme të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e mësimit të gjuhës kineze në Shqipëri, të rrisë më tej nivelin e bashkëpunimit arsimor Kinë-Shqipëri, të ofrojë mbështetje talentesh dhe intelektualë për shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe bashkëpunim reciprok në fusha të ndryshme midis dy vendeve.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, drejtues të Institutit Konfuci, studentë, ish-studentë në Kinë dhe dashamirës të gjuhës kineze. (Irma)