Bashkëshortja e presidentit kinez takon Zonjën e Parë të Gabonit
2023-04-21 12:48:14

Peng Liyuan, bashkëshortja e presidentit kinez Xi Jinping, u takua të mërkurën në Pekin me bashkëshorten e presidentit të Gabonit Ali Bongo Ondimba, Silvia Bongo Ondimba.

Znj. Peng përmendi ndërveprimet që ka pasur me znj. Sylvia Bongo Ondimba dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta për të promovuar parandalimin e trajtimin e HIV/AIDS, duke vlerësuar përkushtimin e gjatë të Zonjës së Parë të Gabonit për mirëqenien publike.

Bashkëshortja e presidentit kinez foli rreth arritjeve të Kinës në parandalimin dhe trajtimin e HIV/AIDS e të tuberkulozit dhe luftën kundër COVID-19, si edhe për punën e saj si ambasadore e vullnetit të mirë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për tuberkulozin dhe HIV/AIDS.

Ajo theksoi se Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet me Gabonin, të ndajë përvojën, të nxisë bashkëpunimin e të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt, si dhe shprehu besimin që, nën udhëheqjen e krerëve të të dy vendeve, bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme do të vazhdojë të thellohet e miqësia do të përcillet nga brez në brez.

Nga ana e saj, Sylvia Bongo Ondimba, e cila po shoqëron presidentin gabonez gjatë vizitës së tij shtetërore në Kinë, falënderoi presidentin Xi dhe znj. Peng për mikpritjen e tyre dhe tha se ishte e impresionuar nga lidhjet miqësore të Kinës me Gabonin.

Gaboni admiron arritjet e mëdha të Kinës në shëndetin publik dhe është i gatshëm të mësojë nga përvoja e suksesshme e Kinës dhe të forcojë shkëmbimet e bashkëpunimin me Kinën, tha ajo.

Zonja e Parë e Gabonit theksoi se pret me kënaqësi të ketë mundësinë të shohë më shumë nga Kina dhe të çmojë kulturën kineze dhe zhvillimin e vendit.