I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës së Kinës në Shqipëri merr pjesë në veprimtarinë e Ditës së Gjuhës Kineze
2023-04-21 20:34:22

foto nga

foto nga Ambasada e Kinës

I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Wang Dexin mori pjesë të enjten në veprimtarinë me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së, të organizuar nga Instituti "Konfuci" i Universitetit të Tiranës. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe zv.dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës Drita Rira, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, drejtorja kineze e Institutit "Konfuci" Zhang Xiaoying, drejtori shqiptar i këtij instituti Erion Malaj, studentë e ish-studentë në Kinë dhe dashamirës të gjuhës kineze.

Në fjalimin e tij, Wang Dexin tha se tema e Ditës së Gjuhës Kineze të këtij viti "Kinezishtja: Promovimi i dialogut ndërmjet qytetërimeve", përputhet me Nismën e Qytetërimit Global të paraqitur pak kohë më parë nga presidenti i Kinës Xi Jinping. "Shohim me gëzim se, me zhvillimin e pandërprerë të Kinës dhe me thellimin e lidhjeve ndërmjet Kinës e botës, gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën po e mësojnë gjuhën kineze. Me përkrahjen e fortë të palës kineze, Instituti 'Konfuci' pranë Universitetit të Tiranës ka zgjeruar përmasën e vet, ka pasuruar kurset, ka krijuar kushte të mira për shqiptarët e moshave të ndryshme të mësojnë gjuhën kineze dhe ka dhënë kontribut të dukshëm për përhapjen e gjuhës kineze në Shqipëri," u shpreh z. Wang. Ai shprehu shpresën se mësimi i kinezishtes do t'u hapë miqve shqiptarë dyert e njohjes së kulturës kineze dhe do të shtojë miqësinë e bashkëpunimin gjatë dialogut ndërmjet qytetëtimeve, për të kontribuuar në të ardhmen më të bukur të marrëdhënieve kino-shqiptare.

foto nga Ambasada e Kinës

Pedagogët dhe studentët e Institutit "Konfuci" dhanë shfaqje të larmishme bukurshkrimi, letërprerjeje, të veshjes së kostumeve tradicionale kineze Han, interpretimit me instrumentin kinez guzheng, ushtrimeve tradicionale kineze taiji, operës kineze etj., të cilat tërhoqën shumë studentë e pedagogë të Universitetit të Tiranës. Studentët e gjuhës kineze gjatë periudhave të ndryshme shkëmbyen përvojat e tyre dhe thanë se kjo veprimtari arriti sukses në promovimin e gjuhës e të kulturës kineze.