Sajmira Selmani, sipërmarrëse në turizmin mjekësor
2023-04-20 11:18:12

Sajmira Selmani është eksperte e turizmit mjekësor, një profesion  që po merr gjithnjë e më tepër vëmendje dhe po ndiqet nga të rinjtë në Shqipëri dhe në vende të tjera të botës. Sajmira ka nisur të punojë që në moshën 15 vjeçare. Ajo jo vetëm administronte një sallon bukurie, por edhe punonte si parukiere. Sajmira e do shumë punën,  por mbi të gjitha do profesionet që kanë të bëjnë me kontaktet e përditshme me njerëzit.

Sajmira Selmani

Sajmira Selmani

 Pas shitjes së sallonit të saj, Sajmira është sot themeluese dhe drejtuese  e një klinike mjekësore, tek e cila gjen dhe veten dhe ndihet  e përmbushur me punën e saj.

CMG: Sajmira, si ka nisur udhëtimi juaj në këtë profesion?

Sajmira Selmani: Kam qenë vazhdimisht shumë kërkuese dhe nuk e kam imagjinuar asnjëherë veten duke mos bërë gjë, ose duke qëndruar në heshtje. Kam dashur të punoj me veten dhe atë kam bërë. Kujtoj vitet e para në profesion që jam dedikuar tërësisht në gjithçka, përpiqesha maksimalisht të mos kufizoja veten.

Kam bërë disa gjëra njëkohësit dhe jam sfiduar shumë. Erdhi një moment në jetë që u ula përballë vetes dhe thjesht kuptova se çfarë dua apo çfarë jam unë e aftë për të bërë. Në fund të ditës njeriu e ka shumë të rëndësishme të kuptojë se çfarë duhet të bëjë në jetë, apo gjërat që atë e bëjnë të ndihet mirë.

Unë kuptova që aftësia ime më e fortë është të jem në terren për t’u marrë me gjera të reja çdo ditë. Kështu lashë çdo gjë dhe nisa një rrugëtim të ri me klinikën time.

CMG: A është e vështirë të menaxhosh një klinikë mjekësore?

Sajmira Selmani: Nuk dua të ankohem dhe as të them që është e lehtë, çdo gjë ka sfidat e veta dhe unë e kuptoj që në tregun shqiptar ka një konkurrencë shumë të lartë, megjithatë jemi gjendur mirë në treg. Unë guxoj dhe punoj ndaj dhe mendoj se aftësitë e mia kanë bërë që të zbuloj aftësi të reja, por edhe nëse diçka nuk shkon e kam marrë me sportivitet.

Sajmira Selmani

Sajmira Selmani

Sot që flasim klinika është e konsoliduar dhe mendoj që është realizuar një punë goxha e madhe. Ne si qënie njerëzore jemi përherë në përmirësim, ndaj dhe do të marrë çdo gjë kohën e saj. Por, jam e lumtur dhe e kënaqur.

CMG: Cilat janë pikat e forta tek ju ?

Sajmira Selmani: Unë jam e duruar dhe një komunikuese shumë e mirë, përpiqem që çdo problem që kam ta marr me sportivitet dhe të fokusohem tek zgjidhja e cila kërkon durim.  Në fund ne jemi njerëz dhe duhet një komunikim që të na dallojë nga të tjerët. Por, edhe këto ‘super fuqi’, kanë ardhur gradualisht tek unë.

CMG: Ju thatë që suksesi juaj ka ardhur duke dështuar

Sajmira Selmani: Unë jam një vajzë që kam provuar shumë në jetën time akademike dhe mund te them që është e nevojshme që çdo i ri ose e re që futet në fushën e marketingut të marrin përsipër të ringrejnë një biznes të dështuar. Nëse arrijnë ta bëjnë këtë gjë, atëherë ata janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë sepse sapo kanë formësuar një karakter të fortë në punë.

Unë kam sforcuar veten pasi jam përballur me katër biznese të dështuara në jetën time. Në fillim mërzitesha shumë, kërkoja një pse tek çdo gjë. Nuk ishte vonë,  por e kuptova me kalimin e kohës se kjo gjë mua thjesht më ka bërë mirë, më forcoi deri në atë pikë që më ngriti në kulmin e karrierës sime.

CMG: Të jesh eksperte e turizmit mjekësor, çfarë do të thotë kjo?

Sajmira Selmani : Do të thotë të jesh mjeku i gjithkujt që ka nevojë për ty. Është një profesion që është futur në Shqipëri si në shumë vende të tjera. Sot që flasim ka shumë ekspertë të tillë, ata ju vijnë në ndihmë pacienteve nga vende të ndryshme të botës, të cilët duan të bëjnë ndërhyrje estetike apo emergjente që lidhen me shëndetin dhe kurimin e tyre.

Sajmira Selmani

Sajmira Selmani

Ka shumë të huaj që zgjedhin Shqipërinë për turizëm dentar, ka shumë shqiptarë që zgjedhin vende të tjera për turizëm estetik. Pra, ne jetojmë në një botë me shumë mundësi që mund të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet.

CMG: A është e vështirë të menaxhosh kultura të ndryshme, tipe të ndryshëm njerëzish?

Sajmira Selmani : Jo nuk është ose kështu më duket mua sepse jam mësuar. Por, unë e kam terapi këtë gjë. Jam e lumtur të njoh kultura të reja, kjo gjë më afron më tepër më ta dhe botën e tyre të vërtetë. Pastaj një tjetër emocion që unë marr është fakti që po i ndihmoj ata të gjejnë në rrugën e duhur drejt shëndetit.

CMG: Ka shumë të rinj, të cilët mund të kenë humbur busullën e tyre të orientimit dhe duan të ndjekin të njëjtën rrugë si ju.  Cila është këshilla juaj për ta?

Sajmira Selmani :  Unë dua thjesht t’iu them që jeta është plot mrekulli që ne i tërheqim vetëm nëse besojmë tek ato.

Intervistoi:Megi Latifi