Jeto shëndetshëm me 24 fazat stinore – Shiu i drithit
2023-04-21 10:32:06

Të dashur miq, jam Skënderi. Në programin e sotëm do t'ju flas për fazën stinore "Shiu i drithit".

Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore që simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Këto faza e ndajnë një vit në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme.

Sipas teorisë së Mjekësisë Tradicionale Kineze, sëmundjet lidhen ngushtë me ndryshimin e klimës, prandaj duhet të marrim masa të përshtatshme për ruajtjen e shëndetit në 24 fazat e ndryshme stinore.

Faza "Shiu i drithit" fillon në një datë nga 19 deri më 21 prill. 

Kjo fazë vjen nga një fjalë të urtë kineze, që thotë se “shiu favorizon rritjen e qindra drithërave”. Gjatë kësaj faze, bie shi i mjaftueshëm dhe drithërat rriten të shëndetshme

"Shiu i drithit" është faza e fundit stinore e pranverës. Ardhja e kësaj faze simbolizon përfundimin e klimës së ftohtë dhe rritjen e shpejtë të temperaturës. Në të njëjtën kohë, ajo na tregon se do të përfundojë pranvera dhe po afron vera. 

Gjatë fazës "Shiut të drithit", duhet t'i kushtojmë vëmendje të madhe shëndetit të mëlçisë. Duhet të mbikëqyrim lëvizjet e humorit dhe të ruajmë qëndrueshmërinë e shëndetit mendor. Kur gjendemi përballë me sfidat e jetës, duhet të mos zhytemi në pikëllim, shqetësim ose zemërim. Është më mirë që të formojmë një ritëm të rregullt të zgjimit e fjetjes dhe të mos flemë tepër vonë. Përveç kësaj, konsumi i perimeve jeshile favorizon shëndetin e mëlçisë.

Në këtë fazë ndiejmë shpesh lodhje shpirtërore dhe përgjumje. Prandaj, është shumë e përshtatshme që të pimë "Çajin e shiut të drithit", çaj të gjelbër të vjelë dhe prodhuar në fazën e "Shiut të drithit". Në këtë periudhë temperatura është e përshtatshme dhe shiu i mjaftueshëm. Sythat e çajit janë më të mëdha dhe përmbajnë lëndë të pasura ushqyese.

Ky lloj çaji ka shije më të freskët e që ndihet për një kohë më të gjatë në gojë. Ngjyra e tij është e gjelbër e thellë. Kur pini këtë lloj çaji, në fillim provoni një shije pak të hidhur, por më vonë shija ndryshon në të ëmbël dhe mbetet për një kohë të gjatë në gojë. Ky është çaji i gjelbër me shije më të mirë.   

Pirja e shpeshtë e "Çajit të shiut të drithit" mund të largojë nxehtësinë e lagështinë, të nxitë qarkullimin e energjisë Qi dhe të lehtësojë lodhjen. Përveç kësaj, me këtë çaj mund të lajmë edhe fytyrën, gjë që mund të lehtësojë jo vetëm alergjinë, por edhe thatësinë e lëkurës.

Në "Shiun e drithit" mund të hamë më shumë ushqimet që ndihmojnë shëndetin e shpretkës dhe stomakut, si farat e lotusit,patatet e ëmbla,fasulet zymbyl, kërpudhat, hidet, jamin kinez etj.

Në fazën "Shiu i drithit" me temperaturë të rritur, energjia Yang mbush tërë trupin. Duhet të bëjmë më shumë stërvitje, si vrapim të ngadaltë, ecje të shpejtë, vallëzim, gjimnastikë, arte marciale, sporte me top etj. Por nuk sugjerojmë ushtrimet e forcës me veglat e palestrës, që harxhojnë energji të tepërt. 

Përgagtiti Xu Guang