Polonia dhe Ukraina bien dakord për të rifilluar tranzitin e grurit
2023-04-20 14:38:44

Foto nga VCG

Transportet e grurit nga Ukraina nëpërmjet Polonisë do të rifillojnë të premten. Njoftimi u bë nga ministri polak i Bujqësisë, Robert Telus, pas bisedimeve dyditore me palën ukrainase, bën të ditur “Xinhua”.

Transportet do të shoqërohen dhe monitorohen nga një sistem elektronik i specializuar gjatë kalimit nëpër Poloni për t'u siguruar që asnjë ton drithë nga Ukraina nuk do të qëndrojë në Poloni, tha ai në një konferencë për shtyp.

Ministri polak i Zhvillimit dhe Teknologjisë, Waldemar Buda, tha se Polonia do të ruajë ndalimin e importit të mallrave bujqësore, por do të lejojë kalimin e tyre përmes Polonisë në katër porte polake për në vende të tjera evropiane.

Ai vuri në dukje se transportet e grurit përmes Polonisë do të vulosen me vula elektronike GPS.

Hungaria dhe Sllovakia kanë vendosur ndalime të ngjashme importi, duke iu bashkuar Polonisë, pas javë të tëra protestash të organizuara nga fermerët kundër çmimeve të ulëta.

Bashkimi Evropian ka kritikuar vendet anëtare për vendosjen e ndalimeve individuale. (Elona)