Eksportet e ushqimeve u rritën me 18.2%
2023-04-20 10:31:23

Foto nga ATSH

Eksportet e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit shënuan rritje gjatë muajit mars të këtij viti, duke vijuar ecurinë pozitive.

Sipas INSTAT, eksportet e grupmallrave “ushqime, pije dhe duhan” u rritën me 18.2% në muajin mars të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bën të ditur “ATSH”.

Përfaqësuesit e sektorit shprehen se rritja e eksporteve është favorizuar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu, theksojnë ata, edhe shtimi i kërkesës për produkte ushqimore, ku dominojnë ato bujqësore dhe të agropërpunimit, ka nxitur rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Edhe moti i ngrohtë ka nxitur prodhimin.

Sektori i bujqësisë zë më shumë se 20% të PBB-së dhe kontribuon me rreth 42% të punësimit total. Ky sektor ka peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit, ndaj edhe qeveria ka adresuar mbështetje me fonde në rritje të vazhdueshme. (Elona)