G7 – varka e rrezikuar në mes të oqeanit.
2023-04-20 18:35:07

Ministrat e Punëve të Jashtëme të G7, Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, që kanë ftuar në statusin e anëtarit të paregjistruar edhe Bashkimin Evropian, janë mbledhur së fundmi në 16 – 18 prill 2023, në Samitin e radhës, në Karuizawa, Japoni. Krerët e këtyre shteteve, duke filluar që nga viti 1973, takohen çdo vit në një samit, ndërsa zyrtarët e lartë të këtyre vendeve takohen gjatë vitit për çështje me interes të përbashkët. Midis viteve 1997 – 2014 edhe Rusia ka qenë e ftuar në punimet e këtyre samiteve. G7 nuk është krijuar mbi bazën e ndonjë traktati, nuk ka sekretariat, nuk ka zyrë të përhershme dhe nuk ka bazë ligjore dhe institucionale. Ky forum fillimisht u organizua për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të pluralizmit dhe të demokracisë liberale.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kur u krijua në vitet 1970, vendet e G7 përbënin 70 për qind të ekonomisë globale, por tani kjo pjesë ka rënë në rreth 40 për qind. Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, nga viti 2013 deri në vitin 2021, kontributi total i vendeve të G7 në rritjen ekonomike globale është më i vogël se ai i Kinës, krahasuar me disa vite më parë, kur ishte më i lartë. Përfaqësueshmëria e G7 për sa i përket popullsisë është edhe më e vogël, pasi vendet anëtare të saj përbëjnë tashmë më pak se 10 për qind të popullsisë së botës, ndërkohë që shumë vende dhe rajone të botës në tërësi vitet e fundit kanë shfaqur një zhvillim më të qendrueshëm dhe edhe më të plotë, duke patur ecuri pozitive ekonomike, që sjellin në mënyrë logjike edhe një rënie të rolit të G7 në arenën transnacionale.

Samiti i ministrave të punëve të jashtëmë të G7 preku disa çështje, si paqja dhe siguria në botë, aspektet e globalizimit, etj dhe në detaje Luftën Rusi – Ukrainë, marrëdhëniet me Kinën, zhvillimet rajonale, etj.

Në lidhje me Kinën, Samiti deklaroi se e pranon nevojën për të punuar së bashku në sfidat globale, si dhe në fushat me interes të përbashkët, për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme përmes dialogut dhe për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike globale dhe shkëmbimet mes njerëzve në një mënyrë reciproke të dobishme, duke theksuar edhe disa aspekte të tilla që sipas G7 janë të rëndësishme si përgjegjësia në hapësirën kibernetike, përvetësimi i pronësisë intelektuale, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve midis palëve, tensionet në ngushticat e Taiwanit, Detin e Kinës Lindore, në Xinjiang dhe në Tibet, sfidat në rajonin e Indo-Paqësorit, etj.

Foto:VCG

Foto:VCG

G7 në këtë Samit nxitoi të deklaronte “Unitetin” midis anëtarëve, sidomos në lidhje me çështjet që lidhen me Kinën, në një kohë që situata të tilla janë paraqitur edhe më parë që në fillimet e këtyre samiteve, kur vështirësitë qoftë edhe për të gjetur një drejtues anglishtfolës, zëvendësimi i papritur i drejtuesit të Saimitit, hartimi në fshehtësi i deklaratave, etj, kanë ndikuar jo mirë në artikulimin e qartë dhe të saktë të konkluzioneve të takimeve.

Makron, Presidenti i Francës, në disa raste ka kërkuar që G7, por edhe BE dhe organizma të tjera ndërkombëtare, të mos jenë kopje apo zgjatime të SHBA-së dhe të organizmave që kontrollohen prej saj. Kjo të çon logjikisht në idenë se edhe nëse brenda G7 aktualisht nuk ka ndarje, herët a vonë çarja do ndodhë.

Duket se organizimi i Samitit në Japoni ka risjellë në një dozë edhe më të shtuar teoritë e periudhës midis dy luftërave botërore, sipas të cilave Kina përbën kërcënim, dhe të teorisë së Luftës së Ftohtë, sipas së cilës, blloku i G7 duhet të jetë unik përballë popujve dhe kombeve që kanë stil jetese të ndryshëm nga ai perëndimor.

Në Samit, kërkesa e Japonisë për më shumë presion ndaj Kinës në lidhje me çështjet e Taiwanit, detit Lindor, Xinjiangut dhe Tibetit, ka ecur paralel me kërkesën tjetër të Japonisë për të shkarkuar ujërat e kontaminuara të bërthamave nukleare në det. Mesa duket, Japonia kishte llogaritur që vendet anëtare të G7, duke u marrë më shumë me konfliktet dhe kërcënimet imagjinare në lidhje me Kinë, të lëshonin dorën për të lejuar Japoninë të shkarkojë në hapësirat detare ujërat e kontaminuara nga bërthamat nukleare. Kina dhe Koreja e Jugut kanë qenë prej vitesh kundër këtij plani, por tashmë edhe Gjermania dhe vende të tjera nuk janë dakord për këtë.

Parë në këtë aspekt, Samiti i Japonisë tregoi se se vitet e fundit, G7 ka devijuar nga roli origjinal si një mekanizëm i koordinimit të çështjeve ekonomike, dhe po kthehet heshtazi në një grup që synon interesat gjeopolitike, që janë në fakt burim konfliktesh dhe dhe jo një platformë e “përsosjes së qeverisjes globale”, siç pretendohet dhe deklarohet në punimet e këtij samiti.

Foto:VCG

Foto:VCG

Uniteti i G7 nuk ka të bëjë me dëshirën për t’i kthyer këto vende në një bllok të komanduar nën koordinimin e një superfuqie, në konfrontim me partnerët e mundshëm, aktualë dhe realë, ndër të cilat Kina është një faktor me shumë rëndësi transnacionale. Kjo sjell më shumë dëme kolaterale dhe jokolaterale se sa përfitime individuale dhe globale.

Për të paktën 10 – 15 vitet e fundit, G7 duket se (1) ka qenë e keqorientuar drejt gjeokonflikteve, (2) ka humbur rolin përfaqësues të ekonomive më të fuqishme të botës, (3) i ka munguar efektiviteti në ndërhyrjet e domosdoshme që priteshin prej saj në arenën globale, (4) ka treguar se ka një përfaqësim të ngushtë, (6) ka dhënë në opinionin publik ndërkombëtar mesazhin se G7 mendon se globalizmi është tepsia ku gjendet byreku i gatuar vetëm për këto 7 vendeve, etj.

Anëtarët e G7 kanë patur deri kohët e fundit marrëdhënie të ngushta reciproke politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, por tashmë duket se uniteti nuk është më ai që dukej.

Fakti se G7 tashmë synon të diktojë edhe marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve anëtare të këtij blloku dhe vendeve të tjera, përfshirë edhe Kinën, tregon se G7 çdo gjë mund të jetë, veçse bllok unik jo. Duket se varka e rrezikuar në mes të oqeanit ka zëvendësuar anijen e dikurshme të G7 dhe do ishte mrekulli që kjo varkë të rezistonte në furtunat e pritshme të kohës që po vjen, ndërsa Kina nga ana e saj, si një njësi unike territoriale, duket se është e përkushtuar ndaj reformave dhe hapjes, pasi është e gatshme të punojë së bashku me të gjitha vendet që dëshirojnë të ndjekin bashkëpunimin fitues, për prosperitet global dhe përparim të përbashkët, për të injektuar një shtysë të re në ekonominë botërore.