Studimi: Alarmues abuzimi me ilaçet për stimulimet e trurit në shkollat e SHBA-së
2023-04-20 11:04:25

Foto nga CFP

Një në katër adoleshentë në SHBA ka abuzuar me stimulues të trurit përgjatë vitit të kaluar, zbuloi një studim i ri i raportuar nga “CNN”. Përdorimet jomjekësore të stimuluesve mund të përfshijnë marrjen e më shumë se një doze normale ose marrjen e ilaçeve me alkool ose barna të tjera për të arritur një nivel të lartë efekti, përcjell “RTSH”.

“Ky është studimi i parë kombëtar që shqyrton përdorimin jomjekësor të stimuluesve me recetë nga studentët në shkollat e mesme dhe jo vetëm dhe ne gjetëm një gamë të jashtëzakonshme  keqpërdorimesh”,- tha autori kryesor Sean Esteban McCabe, drejtor i Qendrës për Studim të Drogës, Alkoolit, Duhanit dhe Shëndetit në Universitetin e Miçiganit.

“Në disa shkolla kishte pak ose aspak keqpërdorim të stimuluesve, ndërsa në shkolla të tjera më shumë se 25% e studentëve kishin përdorur stimulues në mënyra jomjekësore”,- shtoi McCabe, i cili është gjithashtu profesor i infermierisë në Shkollën e Infermierisë në Universitetin e Miçiganit.

Në grupin e të dhënave të përdorura për këtë studim, pyetësorët iu dhanë më shumë se 230.000 adoleshentëve në klasat e teta, të 10-ta dhe të 12-ta në një kampion përfaqësues kombëtar prej 3284 shkollash të mesme.

Sipas studimit, shkollat në periferi në të gjitha rajonet e Shteteve të Bashkuara, përveç verilindjes, kishin nivele më të larta të keqpërdorimit të medikamenteve nga adoleshentët.

Marrja e medikamenteve stimuluese në mënyrë jo të duhur me kalimin e kohës mund të çojë në ankth, depresion, psikozë dhe konvulsione, thonë ekspertët. (Elona)