Panairi i Kantonit, mbyllet faza e parë me një numër rekordesh
2023-04-20 11:48:36

Foto nga VCG

Faza e parë e edicionit të 133-të të Panairit të Importit dhe Eksportit të Kinës, i njohur edhe si Panairi i Kantonit ose Panairi i Guangzhou-t, përfundoi të mërkurën në Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore.

Gjatë pesë ditëve të fundit, kjo veprimtari vendosi rekorde të ndryshme: blerës nga 229 vende dhe rajone, më shumë se 1.25 milion vizitorë dhe rreth 13 000 ekspozues me mbi 800 000 produkte.

Faza e parë përfshiu pajisjet elektronike dhe elektroshtëpiake, pajisjet e ndriçimit, makinat dhe aksesorët, makineritë, veglat, materialet e ndërtimit, produktet kimike dhe energjinë.

Zona e ekspozimit të pajisjeve elektroshtëpiake e elektronike dhe zona e ekspozimit të produkteve të informacionit kryesojnë në vëllimin e transaksioneve dhe blerësit nga vendet e rajonet përgjatë "Një brez, një rrugë" zinin më tepër se gjysmën, njoftoi të mërkurën Grupi Mediatik i Kinës.

Panairi i Kantonit do të vazhdojë deri më 5 maj. Faza e dytë do të zhvillohet nga 23 deri më 27 prill me ekspozimin e mallrave të konsumit të përditshëm, dhuratave dhe zbukurimeve të shtëpisë, ndërsa në fazën e tretë nga 1 deri më 5 maj do të paraqiten produkte si tekstilet dhe veshjet, këpucët, artikujt e kancelarisë, bagazhet, produktet mjekësore e shëndetësore dhe ushqimet.

Ky panair, që ka nisur më 1957 dhe zhvillohet dy herë në vit, konsiderohet si një matës i rëndësishëm i tregtisë së jashtme të Kinës.