Xi Jinping-u uron Miguel Diaz-Canel Bermudezin për rizgjidhjen si president i Kubës
2023-04-20 20:46:10

foto nga

Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel Bermudez, më 25 mars 2023/ CFP

Presidenti i Kinës Xi Jinping e uroi të enjten Miguel Diaz-Canel Bermudezin për rizgjidhjen si presidenti i Kubës.

Diaz-Canel u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar gjatë sesionit të hapjes të parlamentit të ri kuban të mërkurën. Ai është njëherësh sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kubës.

Në mesazhin e urimit, Xi, njëherësh sekretari i përgjithshëm i KQ të PKK-së, theksoi se marrëdhëniet kino-kubaneze janë ngritur në një nivel të ri dhe kanë pasur një përparim të vazhdueshëm.

Duke e përshkruar vizitën shtetërore të Diaz-Canel-it në Kinë në nëntorin e vjetshëm si "një sukses i plotë", Xi theksoi se të dy presidentët arritën konsensus për thellimin e marrëdhënieve të veçanta dhe miqësore ndërmjet të dy vendeve.

"I kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Kubë dhe jam i gatshëm të ruaj shkëmbimet e ngushta me presidentin Diaz-Canel për të forcuar vazhdimisht drejtimin politik të marrëdhënieve ndërmjet dy partive e dy vendeve dhe për të ndërtuar bashkërisht një bashkësi me fate të përbashkëta Kinë-Kubë," tha kreu i shtetit kinez në mesazhin e urimit për homologun e vet kuban. (Wang Lei/ Artan)