“Portali i fermerit”, Krifca: Risia digjitale në ndihmë të fermerit
2023-04-20 12:56:26

Foto nga VCG

“Portali i fermerit” është produkti më i ri digjital i realizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që po klikohet jo vetëm nga komuniteti rural, por edhe nga konsumatorët.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cilëson realizimin e këtij projekti një hap të rëndësishëm në programin e digjitalizimit të bujqësisë, përcjell “ATSH”.

“Ky produkt i ri digjital u vjen në ndihmë fermerëve dhe lehtëson procedurat e mbështetjes së tyre me informacione utilitare në kohë reale dhe transparencë të plotë”, - tha Krifca.

Në këtë portal ka informacione në çdo moment të ditës për tregjet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes dhe instrumentet e financimit, kujdesi veterinar, ofertat e farmacive bujqësore, tipologjia e grumbulluesve, legjislacioni në fuqi e shumë të tjera.

Një grup prej rreth 40 punonjësish të zyrave të bujqësisë në të gjithë Shqipërinë grumbullon çdo ditë informacion të plotë rreth çmimeve në tregjet e shumicës në 12 qarqe të vendit, duke regjistruar çmimet në tregjet e shumicës.

Ndërkohë që një rubrikë e veçantë në këtë portal jep informacion të detajuar për tokat e lira që ka në dispozicion MBZHR dhe jepen me qira. (Elona)