Kina synon të ndërtojë kapacitete superkompjuterike
2023-04-20 11:29:52

Kina planifikon të ketë internet superkompjuterik deri në fund të vitit 2025, për të lidhur kompjuterë të fuqishëm në të gjithë vendin dhe për të shfrytëzuar efektivisht fuqinë e tyre të përbashkët kompjuterike për të promovuar inovacionin dhe rritjen socio-ekonomike, thonë ekspertët. Plani u bë i ditur gjatë një takimi pune të organizuar nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë gjatë kësaj jave.

 

Pas dekadash përpjekjesh, sektori i superkompjuterëve të Kinës është ndër liderët globalë, duke mbështetur inovacionin e shkencës dhe teknologjisë së vendit, zhvillimin social dhe ekonominë digjitale, u bë e ditur në një deklaratë të ministrisë.

 

foto: VCG

foto: VCG

Me rritjen e sektorit të të dhënave të mëdha, inteligjencës artificiale dhe një gjenerate të re të teknologjisë së informacionit, shoqëria ka nevojë për më shumë fuqi kompjuterike se kurrë, thuhet në deklaratë.

 

Qëllimi i internetit të superkompjuterëve është të organizojë qendrat lokale kompjuterike në një sistem më të koordinuar në shkallë kombëtare. Përpjekja do t'i lejojë Kinës të kapërcejë çështje kyçe, të tilla si shpërndarja e pabarabartë e kapacitetit kompjuterik, mungesa e standardizimit në portet kompjuterike dhe mungesën e stimujve për krijimin dhe miratimin e softuerit të aplikacioneve të zhvilluara në vend, theksohet në deklaratë.

 

Interneti superkompjuterik pritet të mbështesë përpjekjet e Kinës për të bërë përparime në shkencë dhe inxhinieri, të mbështesë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë jetën e njerëzve. Interneti superkompjuterik synohet të jetë një rrugëtim për përmbushjen e strategjisë digjitale të Kinës - një nismë madhore që synon të përdorë teknologjitë, zgjidhjet dhe shërbimet digjitale dhe elektronike për të fuqizuar ekonominë dhe për të rritur konkurrencën e vendit në peizazhin digjital global.

 

foto: VCG

foto: VCG

Li Guojie, shkencëtar i njohur kompjuterash dhe akademik në Akademinë Kineze të Inxhinierisë, deklaroi se aplikacionet e superkompjuterëve të Kinës, veçanërisht ato për kompanitë industriale, ende mbeten prapa disa vendeve. Duke ngritur një internet superkompjuterik të integruar dhe efikas, Kina mund të përmirësojë mangësitë e aplikimit dhe t'i bëjë superkompjuterët më të aksesueshëm për publikun e gjerë, shtoi ai.

 

Qian Depei, kreu i Komitetit të Ekspertëve të krijuar për internetin e superkompjuterëve, tha se Kina ka një nevojë në rritje për fuqi kompjuterike për të nxitur zhvillimin e saj ekonomik, gjë që e bën reformën shumë domethënëse. Për shembull, me internetin e ri të integruar superkompjuterik, ofruesit e shërbimeve dhe përdoruesit mund të komunikojnë në mënyrë më efektive.  Një mekanizëm operimi dhe shërbimi i bazuar në treg do të ulë barrierat e hyrjes për përdorimin e superkompjuterëve dhe do ta orientojë teknologjinë kompjuterike të Kinës në nivele të reja.

 

foto: Xinhua

foto: Xinhua 

Sun Ninghui, një tjetër shkencëtar i njohur i kompjuterëve dhe akademik në Akademinë Kineze të Inxhinierisë, tha se superkompjuterët janë një infrastrukturë digjitale themelore që mund të nxisë revolucione teknologjike. Prandaj, sipas tij, është e domosdoshme që Kina të reduktojë ndjeshëm koston e aksesit të një fuqie të tillë kompjuterike dhe të ulë barrierat e hyrjes për programimin në këto makineri.