Foto nga Xinhua
Ashtu si një moment i përjetshëm i ngrirë në film, një udhëtim i viteve 1960 në Kinë është skalitur në kujtesën e 98-vjeçarit Hans Schneider, një fotografi nga Australia që mund të kujtojë pothuajse çdo rrugë që ka bredhur, çdo pjatë që ka shijuar dhe çdo foto që ka bërë, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 60 vjet.
Ndërsa shijon motin e ngrohtë në hemisferën jugore, Schneider nuk e ka të vështirë të kujtojë mëngjesin e ndritshëm por të akullt të marsit, kur ai dhe gruaja e tij, Christina Cordero, zbritën nga avioni për të përqafuar jetën e tyre të re në Pekin.
“Ne morëm një avion nga Moska për në Pekin. Ishte shumë ftohtë në aeroplan. Ishte një fluturim i gjatë dhe ne udhëtuam gjatë gjithë natës. Gjithçka ishte shumë e re. Unë thjesht isha kurioz të dija më shumë”,- deklaroi Schneider.
Ai thotë se si udhëtar për herë të parë në Kinë, ai nuk dinte asgjë për vendin aziatik në atë moment. Duke emigruar nga vendlindja e tij Gjermania në Kili në moshën 14-vjeçare, Schneider pati kontaktin e tij të parë me kulturën kineze duke vizituar një shtëpi në Santiago ku jetonte një familje kineze.
“Ne konsumuam një vakt kinez. Ata kishin mbjellë shumë perime kineze në oborrin e shtëpisë, që nuk mund të gjendeshin në asnjë treg në Kili. Kam shijuar disa ushqime, si mish derri i ëmbël dhe i thartë, si dhe rosë e pjekur”,- kujton Schneider.
Përpara se të shkonte në Kinë, ai kishte dëgjuar nga miqtë e tij një paraqitje të shkurtër se si mund të ishte jeta në atë vend në dukje të largët.
Kur shansi për ta vizituar përfundimisht trokiti në derë, Schneider vendosi jo vetëm të mësonte praktikisht për Kinën, por edhe të dokumentonte udhëtimin e tij me fotografi, një pasion që daton që nga fëmijëria e tij në Berlin në vitet 1930.
Foto nga Xinhua
Duke mos e ndarë aparatin fotografik, Schneider dhe Cordero filluan qëndrimin e tyre njëvjeçar në Kinë. Schneider iu përkushtua përkthimit dhe redaktimit të revistave në shtypin e gjuhëve të huaja, ndërsa Cordero dha mësim spanjisht në “Foreign Affairs University” të Kinës.
Kur çifti gjente pak kohë të lirë, ata eksploronin qytetin me objektivin e aparatëve e tyre. Kur u pyet për zgjedhjen e subjekteve, ai tha: “Gjithçka, çdo aktivitet që mund të kishte interes, njerëz në rrugë, disa fëmijë, disa ambiente të brendshme tempulli”.
Koleksionet e fotografive të Schneider mbulonin një gamë të gjerë temash, duke përfshirë monumentet e njohura, fëmijët që hanin në rrugë, një tezgë në rrugë për ushqime të gatuara me avull, instrumente muzikore të shitura në dyqan, biçikleta të rreshtuara buzë rrugës.
Schneider nuk hezitonte të shkrepte aparatin, për sa kohë që kapte skena magjepsëse dhe imazhe me kuptime të veçanta. “Nëse i kam bërë fotot, i kam bërë sepse më pëlqente imazhi që kisha përpara dhe mendoja se kapja atë që ishte jeta në Kinë në atë kohë”,- tha Schneider.
“Tani vendi është plot me rrokaqiej. Kështu që njerëzit do të kuptojnë ndryshimin dhe kontrastin e madh në Kinë gjatë një periudhe relativisht të shkurtër kohe”,- tha ai.
Pas atij qëndrimi njëvjeçar, Schneider e vizitoi Kinën vetëm një herë, duke shoqëruar miqtë e tij për një ceremoni të publikimit të librit në Pekin në vitin 2010.
Por distanca kohore dhe hapësinore nuk e kanë gërryer kujtesën e tij.
Schneider kujton ditët e hershme të shëtitjeve me biçikleta në Pekin me gruan e tij, duke vizituar dyqane antike në rrugën “Liulichang” (Liu liçan) dhe duke shijuar një pjesë të Operas Kunqu e shkruar nga dramaturgu Tang Xianzu (Tan Shian cu) nga dinastia Ming (1368-1644), në një teatër lokal.
Në vitet 1960, Schneider kërkonte kuponë nga kolegët e tij për të blerë një pjatë me ushqime në rrugë, ose për të pirë Birrë Tsingtao (Cintao) në një restorant pranë “Purple Bamboo Park”.
Njerëzit që ai takoi në Kinë janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kujtesës së tij. Ai përmend se kudo që shkuan njerëzit ishin shumë miqësorë.
Për të mësuar vetë për vendin pa pyetur të tjerët, çifti hipte në autobus për të shkuar në destinacionin e tyre. “Ne kurrë nuk humbëm. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme dhe njerëzit ishin shumë miqësorë”,- tha ai.
Ndonjëherë, pasagjerët në një autobus i ofronin vendet e tyre Schneider-it, i cili atëherë ishte rreth të 30-tave, dhe Schneider e refuzonte me mirësjellje me fjalët bazë kineze: “Jam mirë, faleminderit”.
Mendimi i këtyre momenteve paksa të sikletshme, por qesharake, sjell një buzëqeshje në fytyrën e 98-vjeçarit.
Schneider gjithashtu nuk ka harruar kurrë një mjeke kineze që u kujdes për Cordero-n në hotelin “Pekin Friendship”. Ai përmend gjithashtu një menaxher hoteli, i cili gjeti një dhomë të errët për Schneider dhe miqtë e tij për të zhvilluar fotot.
Duke kujtuar ato ditë, Schneider thotë se kaluan shumë mirë.
Tani që jeton në Australi, dashuria e tij për fotografinë është ende thellësisht e lidhur me kulturën kineze. Ai është në proces të kthimit të filmave në foto të digjitalizuara dhe publikimit së tyre në llogaritë e tij të mediave sociale, për të lejuar më shumë ndjekës të vëzhgojnë një Kinë gjithnjë në ndryshim përmes objektivit të tij.
Me ndihmën e softuerit dhe fjalorëve, Schneider po mëson edhe vetë gjuhën kineze.