Corentin Delcroix është një kuzhinier francez nga qyteti Lille. Atij i ka pëlqyer kultura kineze që nga fëmijëria. Zoti Delcroix kujton se në vendlindjen e tij, kishte vetëm një restorant të kuzhinës kineze. Në atë kohë, shijimi i atyre gatimeve ishte një përvojë e re dhe e gëzueshme. “Jam nga një qytet i vogël në Francë, ku kishte vetëm një restorant të kuzhinës kineze. Mënyrat e ngrënies, si për shembull përdorimi i shkopinjve, shpërndarja e të gjitha pjatave mbi tryezë etj., ishin një përvojë krejt e re për mua.” - kujton Corentin Delcroix.
Në vitin 2002, Delcroix erdhi në Kinë për studime në biznes. Gjatë periudhës universitare katërvjeçare, atij i lindi një interes edhe më i madh për kuzhinën kineze. Pas kthimit në atdhe, Corentin Delcroix hyri në Institutin “Paul Bocuse” për të mësuar gatimin. Kjo është një shkollë e famshme për administrimin e hoteleve dhe të kuzhinës. Pas diplomimit, Corentin Delcroix u bë kuzhinier në një restorant me 3 yje “Michelin” në Francë.
Në vitin 2010, gjatë Ekspozitës së Shangait, Instituti “Paul Bocuse” hapi degën e tij në Shangai dhe Corentin Delcroix me përvojë studimesh në Kinë, u ftua si mësues i kësaj shkolle, duke u rikthyer sërish në këtë vend. Delcroix shprehet se çdo njeri mund të zgjedhë mënyrën e jetesës në Shangai: “Mendoj se Shangai është një qytet gjithëpërfshirës. Si një francez, unë mund të gjej kudo restorante të kuzhinës franceze dhe atraksione të tjera nga vendi im. Të huajt mirëpriten në këtë qytet dhe mund të jetojnë njësoj si në atdhe. Krahas këtyre, në Shangai mund të provohen kuzhinat e krahinave të ndryshme kineze dhe ato botërore. Mund të ushqehesh me kuzhinën e Xinjiangut në drekë dhe të provosh atë të Sichuanit në darkë. Tani unë nuk dua të largohem nga ky qytet i këndshëm”.
Corentin Delcroix shton se “nga viti 2010 deri në vitin 2023, Shangai ka ndryshuar shumë. Tani në këtë megaqytet ka shumë ferma ku mbillen posaçërisht perime për kuzhinën perëndimore. Shumë produkte mund të gjeten më lehtë këtu se në vendet e huaja. Në Kinë mund të blesh mish lope francez, sallam francez dhe të gjitha lëndët e para ushqimore të kuzhinës perëndimore. Klientët kinezë mund të shijojnë këtu kuzhinën franceze më autentike”.
Sot Shangai është qyteti me kafenetë më të shumta në botë. Sipas Corentin Delcroix, si një kulturë perëndimore, kafeja është shkrirë me jetën e qytetarëve të Shangait: “Në Shangai mund të gjenden faktorë të ndryshëm të vendeve të ndryshme, kafeja është një shembull. Ky produkt u pranua shpejt nga Shangai dhe pirja e kafesë është bërë tashmë një zakon i qytetarëve. Këtu mund të shijohen lloje të ndryshme kafeje, ndërsa edhe kafenetë kanë karakteristikat e tyre të veçanta”.
Si një kuzhinier, atij i pëlqen shumë kuzhina kineze. Corentin Delcroix ka qenë në krahina të ndryshme kineze për të shijuar ushqimet tipike lokale. Sipas tij, gastronomia kineze shfaq dhe përfshin plotësisht edhe kulturën e lashtë të këtij vendi: “Kina është një vend shumë i madh dhe ka kuzhina të pasura. Për shembull ajo e Sichuanit dhe Hunanit janë djegëse, por shija pikante e tyre është e ndryshme. Krahas këtyre, kuzhina e Shandongut është pak e kripur, ajo e Guangdongut e butë, ndërsa e Jiangsusë e ëmbël. Shijet e kuzhinës kineze janë vërtet të pasura.” (Fani)