Vendet e BE-se rrisin bashkëpunimin në trajtimin e kërcënimeve kibernetike
2023-04-20 11:36:36

Foto nga VCG

Komisioni Evropian prezantoi një projektligj në Strasburg për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve të Bashkimit Evropian në trajtimin e kërcënimeve kibernetike.

“Qendrat kombëtare dhe ndërkufitare të sigurisë do të punojnë së bashku për të krijuar një rrjet evropian të infrastrukturës së sigurisë kibernetike për të mbrojtur më mirë objektet e rëndësishme, si spitalet ose shërbimet komunale”,- bëri të ditur komisioni në një njoftim për shtyp.

“Qendrat, të cilat do të përdorin inteligjencën artificiale dhe analitikën e të dhënave për të zbuluar dhe raportuar kërcënimet dhe incidentet kibernetike në kohën e duhur, do të jenë funksionale në fillim të vitit 2024. Shkalla në rritje, frekuenca dhe ndikimi i incidenteve të sigurisë kibernetike janë një kërcënim i madh për tregun e vetëm evropian, pasi konflikti në Ukrainë e ka përkeqësuar situatën”,- njoftoi komisioni.

“Për të zbuluar në mënyrë efektive, për t’iu përgjigjur dhe për t’u rikuperuar nga kërcënimet e sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë, është e domosdoshme që të investojmë në mënyrë thelbësore dhe urgjente në pajisjet e sigurisë kibernetike”,-  deklaroi komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton, citon “ATSH”.

Projektligji, i cili do të financohet me 1.1 miliardë euro (1.2 miliardë dollarë), gjithashtu parashikon testimin e sektorëve të rëndësishëm, si kujdesi shëndetësor ose energjia, për gatishmërinë e tyre për të përballuar një incident të mundshëm të sigurisë kibernetike. (Elona)