CMG-ja: Vendet perëndimore duan ta përdorin çështjen e popullsisë kundër Kinës
2023-04-20 11:49:48

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fondi i Popullsisë i OKB-së publikoi të mërkurën "Raportin e gjendjes së popullsisë botërore më 2023", ku parashikohet që në mes të këtij viti, India do ta kalojë Kinën dhe do të bëhet vendi me popullsinë më të madhe në botë. Kjo është një rrjedhojë e ligjeve të zhvillimit të popullsisë, por në njoftimet e disa mediave perëndimore ka shtrembërime, si “zhvendosja e ‘qendrës së rëndesës’ botërore”, “ndryshimi i madh i rendit global” dhe “faktorët negativë kanë shtuar vështirësitë për rimëkëmbjen e Kinës”. Kohët e fundit, mediat perëndimore kanë bërë njoftime sensacionale, që synojnë të bartin mesazhin se zhvillimi i Kinës do të përballojë vështirësi të madhe.

 

Njoftimeve të tilla u mungon njohja bazë e ligjeve të zhvillimit të popullsisë, vihet në dukje në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, pakësimi i popullsisë dhe ulja e dëshirës për të lindur fëmijë është një problem i gjerë global. Kjo lidhet ngushtë me fazën e zhvillimit ekonomik, konceptet e njerëzve dhe faktorë të tjerë shoqërorë e ekonomikë. P. sh., vendet e zhvilluara perëndimore kanë problemin e mungesës së krahëve të punës. Atëherë, përse këto media perëndimore nuk thonë që “faktorët negativë demografikë ndikojnë në rritjen ekonomike”? Kjo është përsëri praktikim i “standardeve të dyfishta”.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përmasa e popullsisë është pjesë e rëndësishme përbërëse e zhvillimit të një vendi, por aftësia për ta shndërruar atë në faktor të rritjes ekonomike varet nga sistemi i atij vendi dhe zbatimi i politikave përkatëse. Përvoja ka vërtetuar herë pas here që rritja e popullsisë mund të bëhet si epërsi për zhvillim, ashtu edhe një barrë e rëndë. Shumë vende në zhvillim kanë popullsi të madhe, por, për shkak të zhvillimit të dobët në arsim, industri dhe biznes, nuk mund të zhvillohen mirë. Kryeministri indian Narendra Modi në vitin 2019 shprehu shqetësimin për “shpërthimin e popullsisë”. Ai tha që “nëse njerëzit nuk arsimohen dhe nuk janë të shëndetshëm, atëherë as familja e as vendi nuk do të jenë të lumtur”.

 

Kina është një vend me popullsi të madhe dhe qysh prej Reformës dhe Hapjes, e veçanërisht pas anëtarësimit të saj në OBT, është treguar plotësisht “përfitimi prej popullsisë”: vendi hyri në rrugën e zhvillimit të shpejtë dhe bota pati mundësinë e përfitimeve të përbashkëta. Tani Kina po futet në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë dhe inovacioni është bërë faktori kyç i zhvillimit të ardhshëm. Nga perspektiva afatgjatë, është një prirje e domosdoshme që Kina të largohet nga sektorët që kërkojnë krahë të shumtë pune dhe të përparojë drejt pjesës të mesme e të lartë të zinxhirëve globalë të industrisë dhe të furnizimit.

 

Për gjykimin e perspektivës së zhvillimit të Kinës, nuk duhet të shikojmë vetëm popullsinë, por  edhe cilësinë e rritjes ekonomike. Në tremujorin e parë, ekonomia e Kinës shënoi rritje me 4.5 %, duke tejkaluar parashikimet e mëparshme dhe duke dëshmuar këtë logjikë.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Edhe kur shohim “përfitimin prej popullsisë” duhet të bazohemi jo vetëm te sasia, por edhe cilësia. Ai nuk varet vetëm nga popullsia, por edhe nga talentet. Tani në Kinë ka afro 900 milionë krahë pune dhe çdo vit shtohen mbi 15 milionë të tillë. Burimet e pasura njerëzore ende janë një epërsi e dukshme e Kinës. Më e rëndësishmja është që popullsia me arsim të lartë në Kinë i kalon 240 milionët dhe niveli mesatar i arsimimit të forcës së re punëtore arrin në 14 vjet. Kështu që mund të shohim se “përfitimi prej popullsisë” nuk është zhdukur, por është në procesin e formimit të “përfitimi prej talenteve”. Kina ende ka një energji të fuqishme zhvillimi.

 

Ndërkohë, përballë ndryshimeve të tilla strukturore si plakja e popullsisë dhe pakësimi i lindjes së fëmijëve, Kina po zbaton strategji aktive për përballimin e plakjes së popullsisë dhe po nxit lindjen e tre fëmijëve me masa përkatëse mbështetëse. Analistët janë të mendimit që Kina po u përgjigjet aktivisht ndryshimeve të popullsisë dhe po nxit kalimin nga “përfitimi prej popullsisë” te “përfitimi prej reformave”, si edhe pasurimin e përbashkët të të gjithë popullit. Të gjitha këto do të jenë energjia e Kinës për rritjen ekonomike me cilësi më të lartë. Dhe natyrisht, edhe bota mund të vazhdojë të përfitojë nga ky proces.(Jiang Lei)