Tregtia online (Foto Monitor)
Tregtia online po merr një zhvillim të jashtëzakonshëm në realitetin shqiptar. Shërbime dhe blerje, që as nuk i kishim menduar më parë, tani po i realizojmë online. Si po ecën ky trend i ri në Shqipëri? Në një intervistë për mediat Artan Gjergji, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online tha se pas pandemisë Covid 19 kjo formë tregtie ka vijuar trendin rritës.
Artan Gjergji (Foto Gazeta Koha Jonë)
“E-commerce është një koncept i ri në Shqipëri dhe për vendet në zhvillim, por zhvillimi internetit dhe situata e Covidit e kanë përshpejtuar ritmin e rritjes së kësaj industrie shumë herë më tepër. E-commerce nuk është asgjë tjetër në vetvete veçse kanalizimi i blerjes së qytetarëve nëpërmjet internetit. Kjo ka shmangur konceptin fizik të marrëdhënies blerës-shitës, duke afruar më shumë blerësin me shitësin dhe duke rritur nivelet e tregtimit në mbarë botën. Pavarësisht kësaj, zhvillimi i kësaj industrie të re, të këtij sektori të ri, varet nga një serë faktorësh, se kush është më i rëndësishëm. Kur flasim për infrastrukturë, kemi të bëjmë me përhapjen e internetit si infrastrukturë fizike, por edhe si përqafim i internetit nga përdoruesit apo userat. Shqipëria ka bërë goxha progres në këtë drejtim dhe është bërë një punë e lavdërueshme edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së digjitalizimit të shërbimeve. I gjithë procesi i digjitalizimit sa më i shpejtë të jetë aq më shpejt krijohet ambienti dhe zhvillohet infrastruktura që ndikon në rritjen edhe të E-comerce, të gjithë tregtisë së qytetarëve me biznesin apo qytetarët me qytetarët. Sektori i tregtisë online është një nga sektorët që po ecën me ritme të shpejta edhe pse krahasuar me vende të tjera të rajonit apo më tej me vende të BE-së, duhet të ishim shumë herë më mirë. Megjithatë premisat janë pozitive dhe shpresojmë që ky ritëm të vijojë edhe më tej”, tha eksperti Gjergji
Në këtë sektor është vështirë të ketë matje të sakta për numrin e subjekteve që operojnë. Sa i përket vlerës, volumit të transaksioneve si vlerë monetare, shitjet online në Shqipëri nuk përbëjnë më shumë se 3% të totalit të volumit të tregtisë në vend.
Blerjet online (Foto A2CNN)
“Sa i përket statistikave të këtij sektori, ashtu siç është një sektor në hapat e parë të zhvillimit, një problematikë kryesore me të cilën përballet industria e shitjeve online është edhe mungesa e statistikave. Kjo vjen nga disa faktorë. Kryesori është sepse pjesa më e madhe e këtij sektori është në informalitet, në atë që quhet ekonomia gri. Për këtë arsye është pak e vështirë, si nga organet tatimore, subjektet për të bërë tregti online, ndërkohë që programet tatimore e kanë të vështirë për ta ndjekur si proces. Kjo ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e gjithë këtij volumi të tregtisë online të ngelet në informalitet, prandaj statistikat lënë shumë për të dëshiruar dhe dalin në mënyrë të tërthortë, duke kryqëzuar disa lloj indikatorësh që vijnë nga pagesat, nga Banka e Shqipërisë, nga AKEPI, nga autoriteti i komunikimit elektronik dhe postar, që mbulon sektorin e postave dhe shpërndarjes së këtyre pakove. Nëse në shifra të gjëra do tentonim të mblidhnim përqindjen e totalit të shitjeve, në gjithë volumin e tregtisë, në Shqipëri, do të thonim që ngelet në shifra modeste sa i përket vlerës dhe volumit të transaksioneve. Si vlerë monetare, shitjet online në Shqipëri nuk përbëjnë më shumë se 3% të totalit të volumit të tregtisë në vend. Ndërsa sa i përket numrit të blerësve, në këndvështrimin e konsumatorit dhe në bazë të një statistike të bërë para dy viteve të Bankës botërore, ky numër shkon deri në 20% të numrit të blerësve. Çfarë tregon kjo? Do të thotë që më shumë njerëz bëjnë pagesa të vogla, prandaj vlera ngelet e vogël, ndërsa blerjet e mëdha bëhen në marrëdhënie fizike”, theksoi ai
Shitjet online (Foto Monitor)
Nisur nga matja e atyre që përdorin sektorin postar, janë afro 5000 biznese që operojnë në mënyrë elektronike.
“Ne vuajmë për statistika në këtë sektor, megjithatë sipas llogaritjeve indirekte që ne si shoqatë bëjmë, llogariten rreth 5 mijë subjekte që operojnë në këtë industri, që shesin e blejnë, përdorin sektorin postar për të shpërndarë pakot e tyre online. Duhet thënë që një pjesë e vogël e këtyre subjekteve operojnë në përputhje të plotë me fiskalitetin dhe me detyrimet ligjore që ka kjo lloj industrie. Rreth 1% ose 50 biznese janë me të vërtetë shumë seriozë dhe në nivele sipas standardeve ndërkombëtare të ofrimit të këtij shërbimi online. Në të gjitha versionet numri i subjekteve që operojnë në përputhje me ligjin nuk kalon 105 të të 5000 subjekteve në total që ofrojnë shërbime online. Kjo tregon që 90 % e bizneseve që ofrojnë këtë lloj shërbimi qëndrojnë në formalitet dhe në këtë drejtim duhet fokusuar dhe puna e autoriteteve, gjykoj unë, jo për t’i penalizuar. Ne si shoqatë, jemi të mendimit që nuk duhet penalizuar zhvillimi i kësaj industrie për të ardhmen, por duhen gjetur kanalet për të sensibilizuar këtë nivel biznesi që është faktik, për ta sjellë drejt formalitetit, në mënyrë që të konkurrojnë në mënyrë të lirë dhe të ndershme, dhe në anën tjetër të garantojë edhe mbrojtjen konsumatore”, u shpreh për mediat Gjergji.
Sipas tij, situata aktuale është shumë mbrapa objektivit të vendosur nga Shoqata e Tregtisë Elektronike, por po merren masa për të nxitur më tej këtë sektor drejt formalitetit.