Modernizimi i flotës së peshkimit, 80 subjekte aplikojnë në Skemën Kombëtare
2023-04-20 12:55:12

Foto nga ATSH

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon të mbështesë sektorin e peshkimit me subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2023. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se 80 subjekte kanë aplikuar për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe modernizimin e flotës.

Krahasuar me vitin e kaluar, numri i aplikimeve është rritur me rreth 30 subjekte. Ndërkohë që, numri më i lartë i aplikimeve ka ardhur nga qarku i Durrësit, ku peshkatarët kanë aplikuar për rinovimin e përgjithshëm të flotës detare, si edhe për zëvendësimin e motorit të anijes, bën të ditur “ATSH”.

Mbështetja e dhënë kërkon të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit duke përmirësuar kushtet dhe zvogëluar kostot për peshkatarët.

Në skemën kombëtare të këtij viti, masa mbështetëse për flotën e peshkimit parashikon subvencionim 50% të vlerës të blerjes së anijes së peshkimit në vlerë financimi jo më shumë se 13.500.000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt.

Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit.

Ndërsa investimet, të kombinuara me kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë rritje progresive të eksportit. Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me vitin 2013, eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në vitin 2022 u eksportuan mbi 9219 tonë prodhime deti.

Në Shqipëri operojnë mbi 220 anije peshkimi. (Elona)