IMAX mendon për zgjerimin e rrjetit në Kinë
2023-04-19 10:23:39

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Dega kineze e IMAX, një kompani e teknologjisë së filmit, është e sigurt në rimëkëmbjen e tregut vendas, me plane për të zgjeruar më tej rrjetin e saj këtë vit, pas një fillimi rekord, pas kërkesës së ndrydhur për përvojat premium, ndërsa Kina optimizoi përgjigjen ndaj Covid-19.

Daniel Manwaring, drejtori ekzekutiv i “IMAX China”, deklaroi se arkëtimet e kompanisë në Kinë ka të ngjarë që këtë vit t'i afrohen niveleve para pandemisë, mbështetur nga rikuperimi i kërkesës për filma, një rrjet i gjerë kinemaje dhe një programacion i fortë me filma vendas dhe të huaj.

“Tregu i filmave pas pandemisë ka qenë një ndihmë e madhe për rritjen e përvojës premium të “IMAX”. Ne jemi shumë optimistë për rritjen ekonomike të Kinës dhe rimëkëmbjen e konsumit këtë vit. Industria e filmit në veçanti ka treguar elasticitet të fortë dhe është rimëkëmbur muajt e fundit”,- tha Manwaring.

Një sondazh i fundit i kryer nga platforma mediatike “Yicai” tregoi se mes 1200 të anketuarve, 90 për qind e të pyeturve e renditin shkuarjen në kinema si zgjedhja numër dy e argëtimit, pas udhëtimit. Vlerësimet nga “Qianhai Securities Co Ltd” në Azinë Lindore me bazë në Shenzhen treguan se të ardhurat totale të arkëtimeve në vitin 2023 pritet të arrijnë në 54.6 miliardë juanë (7.94 miliardë dollarë), rreth 85.18 për qind e asaj në vitin 2019.

“Ne jemi të inkurajuar gjithashtu nga një sërë masash qeveritare që përforcojnë arritjet e Kinës në hapjen, duke ofruar më shumë mundësi për sipërmarrjet e huaja. Misioni ynë është të vazhdojmë të ndërtojmë përvojën IMAX për të gjithë audiencat dhe të zgjerojmë më tej rrjetin tonë”,- shtoi Manwaring.

Gjatë festës shtatëditore të Vitit të Ri Kinez në janar, “IMAX China” arkëtoi mbi 86 milionë dollarë, 54 për qind më shumë në baza vjetore dhe e barabartë me më shumë se 50 për qind të arkëtimeve të kompanisë për të gjithë vitin 2022. Të ardhurat totale të arkëtuara nga filmat në ekranet e mëdha në Kinë arritën në afro 6.76 miliardë juanë gjatë kësaj periudhe, duke u renditur në vendin e dytë më të lartë në historinë e vendit.

“IMAX China” njoftoi se “The Wandering Earth 2”, i cili u shfaq gjatë Festivalit të Pranverës, u bë filmi në gjuhën vendase me fitimin më të lartë të të gjitha kohërave në IMAX.

“Pavarësisht se përbën vetëm 1 për qind të ekraneve të kinemasë në Kinë, IMAX pati 22 për qind të arkëtimeve totale të “Avatar: The Way of Water” dhe 9 për qind për “The Wandering Earth 2”. Shpresojmë që arkëtimet e këtij viti të arrijnë nivelin para pandemisë”,- tha Manwaring. Zhi Feina, profesor në Akademinë Kombëtare të Arteve Kineze, tha se ka shenja të qarta rimëkëmbjeje në tregun e filmit të këtij viti.

“Miratimet e projekteve filmike janë përshpejtuar dhe kompanitë po shtojnë përpjekjet në krijimin e përmbajtjes dhe marketingun e filmit. Nga fundi i marsit kishte 40 filma, të ardhurat e të cilëve nga arkëtimet i kalonin 1 milion juanë.

Presioni financiar i kinemave gjithashtu është lehtësuar shumë. Deri në fund të marsit, të ardhurat totale të arkëtimeve arritën në afro 16 miliardë juanë me 335 milionë vizita në kinema”,- tha ai. Manwaring tha se Kina është bërë tregu më i madh për IMAX globalisht në lidhje me rrjetin e kimenave dhe kjo u ka ofruar konsumatorëve akses të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën e ndrydhur.

“Ne kemi besim se një furnizim i fortë me përmbajtje me cilësi të lartë do të shuajë etjen e audiencave të të gjitha llojeve. Duke parë vitin 2023, tregu global i filmave nuk ka mungesë të filmave origjinalë me cilësi të lartë dhe ekskluziviteteve, duke përfshirë prodhimet më të fundit të “Guardians of Galaxy”, “Fast & Furious”, “Transformers”, “Mission: Impossible” dhe filma jo në anglisht si “The First Slam Dunk”, “Born to Fly” dhe shumë tituj të tjerë në gjuhën kineze që pritet të njoftojnë datat e publikimit në muajt e ardhshëm”, tha Manwaring.