Organizatat mjedisore kërkojnë mbrojtjen e lumit Vjosa edhe në anën greke
2023-04-19 10:18:26

Foto nga RTSH

Disa organizata mjedisore greke në nivel kombëtar dhe vendor po mbështesin një fushatë për shtrirjen e kufijve të Parkut Kombëtar të Pindosit Verior drejt kufirit me Shqipërinë për të siguruar një mbrojtje ndërkufitare për lumin Vjosa, citon  “RTSH” mediat e huaja.

Vjosa buron nga vargmali i Pindos në Greqi dhe pasi përshkon 70 km në anën greke hyn në Shqipëri dhe pas 192 km derdhet në detin Adriatik.

Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Njeriun në Greqi, organizata “Pindos Environment” dhe organizata të tjera vendore greke janë fokusuar në zonën ndërkufitare Gramoz - Konicë - Pogon, me synimin përfundimtar bashkimin e zonës kombëtare të Pindosit Verior me Parkun Kombëtar të Vjosës, i saposhpallur nga qeveria shqiptare.

Sipas organizatave, edhe në anën greke, lumi Vjosa, në rreth 70 kilometrat e tij kërcënohet nga ndërtimi i afërt i dhjetëra hidrocentraleve të vegjël, të cilët, nëse zbatohen, do të minonin përpjekjet e më shumë se një dekade për të krijuar parkun e parë Kombëtar Ndërkufitar të lumit të egër në Europë.

Organizatat mjedisore greke theksojnë faktin se Plani i ri Kombëtar grek i Energjisë dhe Klimës i nënshkruar në vitin 2019, parashikon një rritje prej 15% të kapacitetit të instaluar të hidrocentraleve deri në vitin 2030 dhe një nga fushat ku është shprehur interesi i madh për instalimin e hidrocentraleve është pellgu i lumit Vjosa. Ky pellg përbëhet nga një kompleks lumenjsh, degësh dhe përrenjsh që mbeten pothuajse të paprekur deri më sot.

Organizatat kanë paraqitur propozimet në konsultimin publik që pritet të përmbyllet ne fund të prillit duke kërkuar ndalimin të gjitha veprave hidroenergjetike në të gjithë pellgun e lumit Vjosa (duke përfshirë lumenjtë kryesorë, degët dhe përrenjtë).

Ndërhyrja më e madhe në burimet e Vjosës në anën greke u bë në fund të viteve ‘80 me një digë të madhe hidroelektrike, ku uji nga liqeni artificial devijohet në ujëmbledhësin e Arachthos, me ndikime në rrjedhën, hidromorfologjinë dhe ekosistemet e Vjosës. (Elona)