FMN: Ecuria e ekonomisë globale, me pasiguri. Sejko: Shqipëria paraqet stabilitet
2023-04-19 10:21:36

Foto nga RTSH

Komiteti Monetar Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se ecuria e ekonomisë globale përballet me pasiguri të shumta. Sipas deklaratës së komitetit, konflikti në Ukrainë po rëndon mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin financiar, citon “RTSH”.

“Parashikimi për ecurinë e ekonomisë globale përballet me pasiguri të shtuara. Deri tani, ekonomia globale ia ka dalë të jetë rezistente, ndërsa pasojat makroekonomike më të rënda të parashikuara në vjeshtën e kaluar nuk janë materializuar. Megjithatë, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet i ndrydhur, ndërkohë që rreziqet e kahut të poshtëm janë rritur. Goditjet e njëpasnjëshme, përfshirë konfliktin ruso-ukrainas - në kontekstin e shtrëngimit të politikës monetare, i nevojshëm për të ulur inflacionin - po rëndojnë mbi rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin makrofinanciar, ashtu siç treguan ngjarjet e fundit të stresit bankar dhe atij të tregut financiar”,- theksohet në deklaratë.  

Duke iu referuar inflacionit, FMN-ja shpjegon se edhe pse ka rënie, rritja e çmimeve vijon të jetë prezente. Sa i përket furnizimit me ushqime dhe energji po prekin më së shumti shtresat në nevojë.

Deklarata e Komitetit Monetar Financiar i Fondit Monetar Ndërkombëtar është mbajtur në Uashington pas mbledhjes së Pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, ku ka marrë pjesë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia shqiptare i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme.

Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit. (Elona)