Ani Bylykbashi, instrumentisti me pasion mësuesinë
2023-04-19 14:38:30


Ani Bylykbashi gjate nje koncerti 

Ani Bylykbashi ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë për instrumentin e fagotit. Ai kreu studimet tre vjeçare bachelor për këtë instrument, në Universitetin e Arteve ndërsa masterin e vijoi për pedagogji muzikore. Ani ka qenë pjesë e disa aktiviteteve mzikore në Shqipëri, por edhe e orkestrës së Bohumit në Gjermani. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për rrugëtimin e tij artistik si dhe aktivitetet muzikore. 

Ani Bylykbashi ne interviste per CMG

CMG: Ju e keni nisur rrugëtimin tuaj muzikor në moshë të vogël, por si lindi pasioni për muzikën dhe instrumentin e fagotit?

Ani Bylykbashi: Me thënë të drejtën prindërit e mi më kanë futur në shkollën e baletit kur kam qenë 5 vjeç dhe bëra gati një vit balet, por më shumë pasion dhe veshi ishte tek shkolla e muzikës. Prindërit më regjistruan në klasën e parë për piano dhe kam studiuar katër vjet piano në Liceun artistik “Jordan Misja”. Më vonë mora bazat e mia në piano, fillova studimet në instrumentin e fagotit dhe nga klasa e pestë deri në shkollën e mesme u diplomova për fagot. Në qershor të vitit 2013 përfundova liceun artistik dhe më pas kam studiuar në bachelor për instrumentin e fagotit dhe masterin për pedagogji muzikore në Universitetin e Arteve.

CMG: Pse hoqët dorë nga piano dhe vazhduat studimet për instrumentin e fagotit?

Ani Bylykbashi: Piano kishte shumë kërkesa dhe shumë konkurencë, kështu që mendova që më mirë do ta gjeja veten në instrumentin e fagotit sepse më shumë isha tek instrumenti i frymës. Ma sugjeruan dhe njerëz të tjerë, por  kisha dhe më shumë hapësira. Unë kam bërë shumë aktivitete të ndryshme artistike dhe e gjej më shumë veten tek instrumenti i fagotit.

Ani Bylykbashi me fagotin 

CMG: Ka qenë e vështirë të gjeni hapësirë me këtë instrument në orkestrat simfonike?

Ani Bylykbashi: Tani orkestra simfonike ka dy fagotë dhe varet se çfarë vepre përcaktohet nga Teatri i Operas ose orkestra simfonike e RTSH-së, por në përgjithësi është dhe pak çështje fati dhe se sa mundësi të krijohet. Unë mendoj se njeriu i futet diçkaje për të arritur diçka në jetë, pastaj sesa e realizon atë gjë është çështje fati dhe sa hapësiara ka këtu në Shqipëri për vende pune.

CMG: Pse vendosët që masterin ta vijonit për pedagogji muzikore?

Ani Bylykbashi: Unë e bëra ndërrimin sepse mendova që në fagot mora shumë gjëra të reja, ku studiova dhe e përfundova me rezultate maksimale. Pastaj përse mos ta bëja dhe pedagogjinë muzikore? Eshtë diçka shumë e bukur dhe më pëlqen shumë. Unë e kam pasion të merrem me nxënësit dhe të jap aq sa unë kam mundësi dhe që është më e mira për të dhënë, sepse kam studiuar 22 vite për muzikë dhe kam dëshirë t’u jap dhe njerëzve që kanë dëshirë të ecin përpara në jetën artisitke dhe atë muzikore.

Ani Bylykbashi ne nje koncert 

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja muzikore me orkestrat simfonike si instrumentist?

Ani Bylykbashi: Një prej aktiviteteve që unë kam bërë në liceun artistik ka qenë në dhjetor të vitit 2011 në kuadër të 65 vjetorit të liceut “Jordan Misja”, ku kemi luajtur uverturën festive, kemi luajtur Danzon Nr 2, që ka qenë vepra e parë në Shqipëri që ne kemi luajtur dhe ka qenë arritje maksimale dhe vlerësim nga publiku. Ne kemi punuar me vullnet dhe pasion për të arritur realizimin e një koncerti fantastik në atë kohë. Gjithashtu kam luajtur dhe me orkestrën e RTSH-së, orkestrën simfonike të liceut artistik dhe me orkestrën e Universitetit të Arteve. Kam qenë dhe në Gjermani ku kam luajtur me orkestrën e Bohumit pjesë solistike që përfshinte instrumentin e fagotit të parë solo në orkestër. Këto kanë qenë disa nga aktivitetet e mia muzikore me orkestra të ndryshme simfonike.

CMG: Keni menduar që ta vijoni karrierën tuaj muzikore edhe jashtë vendit, duke u bërë pjesë e orkestrave simfonike në botë?

Ani Bylykbashi: Normalisht që kam dëshirë, por për momentin kushtet janë pak të kufizuara sepse ashtu janë mundësitë e jetës sime. Dëshira është e madhe,  por do ja le të ardhmes çdo gjë dhe nuk mund të them diçka paraprake.

CMG: Mendon se brezi i sotëm kanë dëshirë të studiojnë për këtë instrument?

Ani Bylykbashi: Me thënë të drejtën tani brezi i ri po e kërkon shumë pak instrumentin e fagotit, sepse ndoshta nuk gjejnë një hapësirë pune ose varet dhe sesi e mendojnë ata të ardhmen e tyre. Brezi im para 10 vitesh ka pasur më shumë interes, por  nuk po kërkohet sepse është instrument shumë i rrallë dhe tepër i vështirë.

CMG: Ju e keni trashëguar muzikën nga dikush tjetër në familjen tuaj?

Ani Bylykbashi: Në familjen time nuk kam asnjë muzikant, kështu që vetëm unë jam që e gjeta veten talent dhe kam punuar shumë që të arrij atë që dëshiroj.

Ani Bylykbashi 

CMG: Përveç muzkës keni ndonjë pasion tjetër në jetë?

Ani Bylykbashi: Unë po merrem më shumë me muzikën sepse kam shumë vite që studioj dhe çdo gjë tjetër do ja le të ardhmes. Unë e nis ditën duke dëgjuar muzikë, më pëlqen shumë kërcimi, e mbyll ditën duke dëgjuar prapë muzikë klasike, por dhe moderne apo muzikë popullore. Për mua jeta ime është muzika.

CMG: Ju ka mbetur peng që nuk vazhduat shkollën për balerin?

Ani Bylykbashi: Peng nuk mund të them sepse unë kam qenë 5 vjeç dhe nuk është se çfarë po zgjidhja dhe ku do arrija. Thjesht mora një bazë, por mund të them që edhe baletin mund ta quaj një ndërthurje përderisa mua më pëlqen shumë kërcimi, kam vesh muz-ike dhe kërcej mirë nëpër evenimente të ndryshme, diçka e arritur është dhe kjo pjesë.

CMG: Vazhdoni të luani akoma në piano?

Ani Bylykbashi: Unë luaj pak në piano sepse nuk jam marrë shumë, ngaqë primar është instrumenti i fagotit që kam studiuar dhe investuar 18 vite.

Ani Bylykbashi ne Lice

CMG: Sa kohë i kushtoni në ditë instrumentit të fagotit?

Ani Bylykbashi: Unë më përpara kam studiuar 4-5 orë në ditë kur isha në shkollë dhe më mbrapa, por tani më pak sepse kam edhe angazhime të tjera. Kështu që studioj aq sa unë e mendoj se duhet.

CMG: Do ju pëlqente të ishit instrumentist në orkestër apo mësues muzike?

Ani Bylykbashi: Primare për mua është instrumenti sepse kam investuar me vullnet dhe pasion, por dhe mësuesia më pëlqen shumë ta zhvilloj.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Ani Bylykbashi: Përshëndes në radhë të parë familjen time të shtrenjtë, e cila më ka mbështetur pa asnjë lloj problemi. Gjithashtu përshëndes të gjithë miqtë dhe kolegët e mi.

Intervistoi: Gazmend Agaj