Foto nga VCG
Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës zhvilloi të martën paradite një konferencë shtypi, ku zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Fu Linghui u shpreh që, në tremujorin e parë, ekonomia kombëtare kineze ka pasur mëkëmbje të qëndrueshme, duke shënuar një pikënisje të mbarë, me një rritje të GDP-së 4.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fu vuri në dukje që, në tre muajt e parë të sivjetshëm, përballë mjedisit të ndërlikuar dhe detyrave të rënda të reformës brenda vendit, kërkesat e prodhimit në Kinë janë duke u mëkëmbur, çmimi i mallrave është në nivel të qëndrueshëm, të ardhurat e banorëve janë në rritje të vazhdueshme, perspektiva është përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe gjendja ekonomike ka pasur një pikënisje të mirë. Të dhënat fillestare tregojnë që në tremujorin e parë të vitit 2023, GDP-ja shënoi vlerën 28499.7 miliardë juanë, përkatësisht 4.5 % dhe 2.2 % më shumë se në tremujorin e parë dhe në tremujorin e katërt të vitit 2022.
Në tremujorin e parë, import-eksporti i mallrave i Kinës ishte 9887.7 miliardë juanë, 4.8 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2022, dhe eksporti shënoi rritje me 8.4 %, duke ruajtur ritmet e larta. Fu u shpreh që, qysh prej fillimit të këtij viti, Kina ka ruajtur rritje të vazhdueshme mbi një bazë të lartë të vendosur vitin e kaluar. Kjo është vërtet një arritje e vështirë, veçanërisht në sfondin kur ekonomia botërore po ngadalësohet dhe gjendja e jashtme përmban faktorë të paqartë.
Fu theksoi se, për shkak që ekonomisë botërore i mungon gjallëria e rritjes, ekzistojnë rreziqe gjeopolitike, unilaterizmi e proteksionizmi janë në rritje të shpejtë dhe tregtia globale përballon më shumë faktorë të paqëndrueshëm e të paqartë, në fazën e ardhshme tregtia e jashtme kineze do të gjendet përsëri përballë sfidave e presionit, por megjithatë, ajo ka elasticitet të madh e gjallëri të plotë. Me mbështetjen e politikave stabilizuese dhe nxitëse, në vitin 2023, parashikohet që të realizohet stabilizimi me një cilësi më të mirë.
Foto nga VCG
“Së pari, Kina ka një sistem industrial të plotë dhe një aftësi të fortë furnizimi të tregut, që mund të përshtatet me ndryshimet në tregun ndërkombëtar. Së dyti, Kina ngul këmbë në hapjen dhe po zgjeron pandërprerë hapësirën e tregtisë ndërkombëtare. Në tremujorin e parë import-eksporti i Kinës me vendet përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ u shtua 16.8 % dhe me vendet anëtare të RCEP-it 7.3 %, prej të cilave eksporti shënoi rritje me 20.2 %. Së treti, shtimi i faktorëve të rinj nxitës të tregtisë së jashtme po luan një rol mbështetës për rritjen e tregtisë së Kinës me vendet e tjera. Në tremujorin e parë, eksporti i automjeteve elektrike të udhëtarëve, i baterive të litiumit dhe i baterive diellore u rrit me 66.9 % dhe tregtia në platformat elektronike ndërkufitare ka pasur rritje të shpejtë. Në përgjithësi, në fazën tjetër, politikat e stabilizimit të tregtisë do të vazhdojnë të kenë efekte dhe do të jenë në të mirë të realizimit të objektivave për stabilizim me një cilësi më të mirë të tregtisë së jashtme në tërë vitin 2023,” tha zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave Fu Linghui.
Zv.drejtori i Institutit të Strategjisë dhe Zhvillimit Kombëtar pranë Universitetit Renmin Liu Qing u shpreh që, në mjedisin e tanishëm, zgjerimi i hapjes me nivel të lartë ka rëndësi të madhe për stabilizimin e tregtisë së jashtme në mbarë vitin.
“Kina zbaton në mënyrë të vendosur hapjen me nivel të lartë, ka shtuar negociatat për marrëveshjet tregtare ndërkombëtare, si integrimi me marrëveshjet tregtare ndërkombëtare me standard të lartë, dhe po stabilizon aktivisht politikat e ndryshme për lidhjet ekonomike ndërkombëtare. Të gjitha këto do të pakësojnë koston e tregtisë e paqartësitë tregtare dhe do të jetë në favor të zhvillimit tregtar në një bazë të qëndrueshme,” thotë Liu Qing.
Foto nga VCG
Në tre muajt e parë, konsumi ka pasur rritje të shpejtë. Vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit arriti afro 11.5 trilionë juanë, 5.8 % më shumë se gjatë janar-marsit të vjetshëm. Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave Fu Linghui bëri të ditur që konsumi përfundimtar në tremujorin e parë dha kontribut për 66.6% të rritjes ekonomike dhe është faktori i parë që ka nxitur rritjen ekonomike. Ai u shpreh që, në fazën e ardhshme, konsumi do të vazhdojë të luajë rol drejtues për rritjen ekonomike të vendit. (Jiang Lei)