
Foto nga VCG
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje udhëheqësve të Forcave të Armatosura sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë që të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të fillojnë një dialog për të zgjidhur krizën në Sudan, bën të ditur “Xinhua”.
Guterres e bëri thirrjen përpara se të mbante fjalimin e tij të hapjes në një forum të OKB-së për financimin e zhvillimit.
Ai dënoi ashpër shpërthimin e luftimeve në Sudan, duke vënë në dukje se situata tashmë ka çuar në humbje të tmerrshme jetësh, duke përfshirë shumë civilë.
Sudani ka qenë dëshmitar i përleshjeve të armatosura midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë që nga 15 prilli.
Qindra persona janë vrarë e qindra të tjerë janë plagosur që nga fillimi i përleshjeve. “Unë dënoj vrasjet dhe plagosjet e civilëve dhe punonjësve humanitarë dhe shënjestrimin dhe plaçkitjen e objekteve. U kujtoj të gjitha palëve nevojën për të respektuar ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë sigurinë e personelit të Kombeve të Bashkuara dhe punonjësve të ndihmës humanitare”, - tha Guterres.
Shefi i OKB-së paralajmëroi se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të jetë shkatërrues për Sudanin dhe rajonin dhe u kërkoi të gjithë atyre që kanë ndikim mbi situatën të mbështesin përpjekjet për t'i dhënë fund dhunës, për rivendosjen e rendit dhe kthimin në rrugën e tranzicionit.
Guterres tha se kishte folur me dy liderët sudanezë gjatë fundjavës dhe po angazhohet në mënyrë aktive me Bashkimin Afrikan, Ligën Arabe dhe liderët në të gjithë rajonin.
Ai ripohoi se populli i Sudanit do të ketë mbështetjen e plotë të Kombeve të Bashkuara për përpjekjet e tyre për të rivendosur tranzicionin demokratik dhe për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të sigurt. (Elona)
