Kryeparlamentarja Nikolla pret delegacionin italian: Mirënjohje për mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë
2023-04-19 10:08:41

Foto nga RTSH

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, priti në një takim delegacionin parlamentar italian, të përbërë nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, Stefania Gabriella Anastasia Craxi, senatorin Luigi Spagnolli, si dhe ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci.  

Kryeparlamentarja Nikolla shprehu mirënjohjen ndaj Italisë për mbështetjen për zhvillimin, demokratizimin dhe avokatinë e fuqishme të integrimit europian të Shqipërisë, përcjell “RTSH”.  

“Jemi të angazhuar për të kontribuar në partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh midis Shqipërisë dhe Italisë. Mirënjohje Italisë si mbështetëse e vendosur e zhvillimit, demokratizimit dhe avokatja më e fuqishme e integrimit europian të Shqipërisë”,- deklaroi Nikolla.  

Nikolla theksoi se në bashkëpunimin mes dy vendeve nuk prevalojnë interesat, por miqësia.  

“Kënaqësi për vlerësimet për rolin e Shqipërisë si lider në kontributin për bashkëpunimin, integrimin, sigurinë dhe paqen në rajon. Në bashkëpunimin Shqipëri-Itali nuk prevalojnë interesat, por miqësia”, tha Nikolla. (Elona)