OBSh-ja paralajmëron se gjendja e pandemisë së COVID-19 është ende e paqëndrueshme
2023-04-19 16:49:01

foto nga VCG

foto nga VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) paralajmëroi të martën se gjendja e pandemisë së COVID-19 është ende e paqëndrueshme, duke thënë se mund të ketë probleme të mëtejshme përpara se virusi të hyjë në një model të parashikueshëm.

Pavarësisht nga pakësimi i madh i numrit të testimeve, OBSh-ja tha se gjatë 28 ditëve të fundit u raportuan më tepër se 23 000 vdekje dhe tre milionë raste të reja.

Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së, tha se "shumë njerëz" janë ende duke u sëmurur apo duke vdekur, megjithëse numrat po bien.

"Ne nuk e 'fikim çelësin' e pandemisë," por ka shumë më tepër gjasa të ecim në "një rrugë të vështirë drejt një modeli më të parashikueshëm," tha Ryan, duke shtuar që virusi nuk do të zhduket, por, ashtu si gripi, do të shkaktojë ende sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes te njerëzit më të prekshëm.

Eksperti njoftoi që, në mbledhjen mbi pandeminë e COVID-19 në maj, ata do të vendosin nëse ajo do të mbetet një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.