Orkestra Simfonike e e qytetit të Shkodrës u rikthye në skenën e Teatrit “Migjeni” me një koncert madhështor. Nën dirigjimin e maestro Jetmir Barbullushit u vunë në skenë veprat e kompozitorëve shkodranë, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Shkodra mbetet shtëpia e madhe e artit dhe kulturës shqiptare. Pas 32 viteve mungesë, qytetit të Shkodrës iu rikthye Orkestra Simfonike. Dirigjenti dhe drejtuesi i orkestrës simfonike, maestro Jetmir Barbullushi përjetoi mjaft emocione gjatë realizimit të këtij koncerti. Ai u shpreh për mediat:
“Jam shumë i kënaqur sot që kam një brez të ri muzikantësh, krahas pedagogëve dhe pjesës tjetër që të ruajmë traditën që kemi pasur”.
Ndërsa Maestro Zhani Ciko, i pranishëm në koncert tha: “Një koncert ku nuk di ç’të vlerësoj më përpara. Muzika e shkëlqyer, interpretuesit me një pasion të madh dhe mbi të gjitha një publik i shkëlqyer, që e ka pritur këtë ditë. Ky është një triumf i Shkodrës kulturore dhe muzikore”
Koncerti i Orkestrës Simfonike të Shkodrës erdhi edhe si një homazh për veprat e pavdekshme të kompozitorëve shkodranë Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Tonin Harapi, At Martin Gjoka, etj. Koncerti simfonik u rikthye me krijimtarinë që këta artistë kanë lënë si trashëgimi, vepra të cilat erdhën nën interpretimin e mbi 51 instrumentistëve dhe emrave të njohur të muzikës. Në skenën e teatrit "Migjeni” të Shkodrës interpretuann soprano Marjana Leka, Alberta Kaçaj, Adelina Paloja, baritone Armando Likaj, tenori Laorjan Ejlli, si dhe interpretuan në violin Lorenc Radovani dhe në piano Amir Xhakoviq dhe Odesa Meti.
Sopranoja Adelina Paloja ndër të tjera tha; “ Ky është një moment historik jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë kombin shqiptar, sepse vetë shkolla dhe zanafilla ku kam filluar mësimet e para në instrumentin e pianos quhet “Prenkë Jakova”.
Filarmonia e Orkestrës Simfonike të Shkodrës u themelua në vitin 1878, për t’i dhënë në vazhdim një rrugëtim të ri artit muzikor.
Shkodra ka qenë përherë djepi i artit dhe kulturës shqiptare. Pas 32 vitesh rikthehet Orkestra Simfonike e qytetit të Shkodrës.
Kjo ishte një kërkesë e shumë artistëve, e cila u bë realitet falë kujdesit të kryebashkiakut Bardh Spahia, për ta pasuruar përherë edhe më shumë jetën e këtij qyteti që duke patur Orkestrën e vet Simfonike, do vazhdojë të ndjekë këtë traditë, duke gjallëruar jo vetëm qytetin, por edhe artin e kulturën në vend.
Sava Lena