Dërgohet në hapësirë sateliti i parë i Kinës që ofron monitorim me saktësi të lartë të reshjeve
2023-04-18 09:57:57

Foto nga CMG

Sateliti i parë kinez që lejon shkencëtarët të monitorojnë reshjet e Tokës nga hapësira, Fengyun-3G (FY-3G), u dërgua në hapësirë. Ai është një nga vetëm tre satelitë të tillë në botë, njofton “CGTN”.

Falë lançimit të tij të dielën, sateliti, i cili është i dedikuar për të matur reshjet në Tokë, do të ndihmojë shkencëtarët kinezë të bëjnë parashikime më të sakta.

Me një jetëgjatësi prej gjashtë vjetësh, FY-3G është zhvilluar nga një institut i Korporatës së Shkencës dhe Teknologjisë së Hapësirës Ajrore të Kinës. Sistemi i tij tokësor do të ndërtohet dhe operohet nga Administrata Meteorologjike e Kinës.

“Anëtari i 20-të i serisë Fengyun, FY-3G do të nxjerrë në pah fuqinë e plejadës satelitore meteorologjike të Kinës me orbitë të ulët dhe do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë e paralajmërimit të hershëm për stuhitë globale”,- tha Chen Zhenlin, kreu i Observatorit Qendror meteorologjik.

Qian Bin, projektuesi kryesor i FY-3G, tha se sateliti adopton një orbitë me prirje të ulët, me një pjerrësi prej 50 gradë. Ai do të sigurojë të dhëna për reshjet kryesisht brenda intervalit prej 50 gradë gjerësi veriore deri në 50 gradë gjerësi jugore.

Në gjashtë muajt e ardhshëm, FY-3G do t'i nënshtrohet testeve në orbitë dhe do të përballojë sfidat e fatkeqësive meteorologjike si stuhitë e shiut dhe tajfunet në sezonin e ardhshëm të përmbytjeve, sipas administratës meteorologjike.

Kina aktualisht ka tetë satelitë meteorologjikë Fengyun në orbitë, duke ofruar të dhëna dhe shërbime në 126 vende dhe rajone. (Fatosi)