Kina, e gatshme të lehtësojë rinisjen e bisedimeve të paqes mes Izraelit e Palestinës
2023-04-18 12:46:07

Foto nga VCG

Kina i nxit Izraelin e Palestinën të tregojnë guxim politik e të ndërmarrin hapa për të rinisur bisedimet e paqes, dhe është e gatshme të ofrojë lehtësi për këtë, tha të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.

Në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen, Qin theksoi se Kina është e shqetësuar rreth tensionit të tanishëm ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Sipas tij, përparësia kryesore është të vihet situata nën kontroll e të parandalohet përshkallëzimi, apo  madje edhe dalja nga kontrolli, e konfliktit.

Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë e të tregojnë vetëpërmbajtje, si edhe të ndalojnë fjalët dhe veprimet e tepruara e provokuese, tha Qin, duke shtuar se rruga kryesore e zgjidhjes është rinisja e bisedimeve të paqes dhe zbatimi i "zgjidhjes së dy shteteve".

Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur, vuri në dukje ai. Presidenti kinez Xi Jinping paraqiti Nismën e Sigurisë Globale dhe Kina beson se çelësi për zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze është mbështetja e vizionit të sigurisë së përbashkët, tha Qin.

Kryediplomati shtoi që Kina nuk ka interesa egoiste në çështjen izraelito-palestineze dhe shpreson vetëm që Izraeli e Palestina të bashkëjetojnë paqësisht dhe të mbrojnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale.

Ministri i Jashtëm i Izraelit Eli Cohen e falënderoi Kinën për gatishmërinë e saj për të mbështetur zgjidhjen e konfliktit izraelo-palestinez. Sipas tij, Izraeli është i angazhuar për qetësimin e situatës, po problemi nuk ka gjasa të zgjidhet në një kohë të shkurtër.

Izraeli i jep rëndësi ndikimit të Kinës, i kushton vëmendje të madhe çështjes bërthamore iraniane dhe pret që Kina të luajë një rol pozitiv, u shpreh Cohen.

Qin, nga ana e tij, theksoi që Arabia Saudite dhe Irani kohët e fundit rivendosën marrëdhëniet diplomatike nëpërmjet dialogut, duke krijuar një shembull të mirë për kapërcimin e dallimeve me bisedime.

Ai shprehu shpresën që të gjitha palët do të shfrytëzojnë mundësinë e favorshme për të nxitur dialogun e pajtimin, për të zbatuar Planin e Përbashkët të Veprimit mbi çështjen bërthamore iraniane dhe për të mbrojtur paqen e qetësinë në Lindjen e Mesme.

Të dy ministrat theksuan se Kina e Izraeli u kushtojnë rëndësi marrëdhënieve dypalëshe mes tyre.

Kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje që Kina është e gatshme të shtojë shkëmbimet në të gjitha nivelet me Izraelin, të forcojë besimin e ndërsjellë politik dhe të nxisë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella.

Cohen tha se ai pret me kënaqësi rimëkëmbjen e plotë të bashkëpunimit në kulturë, turizëm e fusha të tjera midis të dy vendeve pas pandemisë së COVID-19. Izraeli është i gatshëm të punojë nga afër me Kinën për të nxitur zhvillimin e ri të marrëdhënieve dypalëshe.