Shpallen fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj
2023-04-18 09:10:18

U shpallën edhe për këtë vit fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj. Fondi çdo vit u jep mundësinë tre autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. 11 autorë ishin në garë këtë vit, ndërsa çmimet për fituesit u dhanë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Fitues të këtij viti ishin Alban Tufa, Enxhi Naumi, Andrin Kabashi. Një qytet që mbuloi lumenjtë, duke i kthyer në rrugë makinash. Një kushtim për prindërit, për ata që ishin e mbetën dy. Dhe një tufë poezish për ndjesitë që nuk kanë nevojë të bërtasin. Këto ishin tre motivet që erdhën përmes talentit të fituesve.

Në këtë aktivitet ishte  e pranishme dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, shkrimtarë dhe botues. “Kënaqësi t’i takoja sot në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të merrja energjinë pozitive që ata përçonin përmes dëshirës për t’iu qasur rrugës së bukur dhe të vështirë të krijimtarisë”, shprehet ministrja optimiste për nismën.

“Patjetër që është një fond i  vogël, shumë simbolik, por është një mënyrë për t’i shtyrë paksa në rrugën e re. Besoj se është një farë mbështetjeje që e ka gjetur kuptimin e saj”, tha ajo.

Margariti tha se mes fituesish është dhe një i ri nga Kosova, ku siç shprehet ajo, “ky është një ogur i mirë dhe dëshmi se nismat tona nuk janë thjesht lokale”.

Ndërkohë  Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit Alda Bardhyli, foli për qëllimin e arritur të këtij konkurrimi mes të rinjve: “Këtë vit është edicioni i tretë dhe më vjen mirë që në këto tre vite ky fond ka qenë një mundësi shumë e mirë motivimit për të rinj, që shkruajnë në gjininë e prozës e të poezisë”, u shpreh ajo.

Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj dhe anëtarë Enkel Demi, Sonila Strakosha, vlerësoi mes 11 dorëshkrimeve veprat e mëposhtme: Alban Tufën me dorëshkrimin “Ata ishin (mbetën) dy”, shtëpia botuese “Toena”. Motivacioni: Për origjinalitetin dhe thellësinë e vargut poetik të shprehur me sinqeritet dhe pjekuri.

Enxhi Naum me dorëshkrimin “Tytnia”, shtëpia botues “Albas”. Motivacioni: Për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike.

Andrin Kabashi me dorëshkrimin “Qyteti pa lumë”, shtëpia botuese “Onufri”. Motivacioni: Për mesazhet nënkuptimore të përcjella nëpërmjet një stili ekzistencial dhe proze të konsoliduar, që evidentojnë problemet thelbësore të brezit të mileniumit të ri.

Fituesit janë ndjerë mjaft të lumtur dhe të motivuar me marrjen e çmimeve. Poetja e re Enxhi Naumi komenton menjëherë pas dhënies së çmimit: “Poezia eksperimenton dhe flirton me shumë situata, bazuar edhe në bestytnitë me të cilat ne jemi rritur”, thotë ajo.

Për fituesin tjetër, Alban Tufa, libri i tij ka në fokus njeriun: “Është një vëllim poetik që i kushtohet prindërve të mi, janë poezi që mbajnë në qendër vetëm njeriun dhe atë çfarë i rrethon”.

Gjithashtu për librin e tij flet edhe i riu nga Kosova, Andrin Kabashi: “Vepra mban titullin “Qyteti pa lumë”. Diku rreth viteve ’70-’80 lumenjtë janë mbuluar dhe mbi ta janë ndërtuar rrugë me asfalt”, zbulon ai pak nga historia e tij.

Më herët QKLL shprehej se thirrja u drejtohej lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese.

Nëpërmjet këtij fondi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) më herët në faqen e saj shprehej se synon të promovojë letërsinë e re shqipe, duke u ardhur në ndihmë autorëve të rinj shqiptarë për të botuar dhe për t’u bërë pjesë e një hapësire më të gjerë njohjeje përballë lexuesit.

Mbështetja e autorëve të rinj, atyre që do të përsosin gjuhën dhe kulturën shqiptare është një prioritet i kësaj nisme. Fondi i të Rinjve është një ndër fondet e suksesshme, i cili në këto tre vite ka luajtur një rol në nxitjen e të rinjve në rrugën e bukur të shkrimit shqip. Më shumë se 10 autorë të rinj janë promovuar përmes pjesëmarrjes në këtë konkurs. Ky konkurs u jep mundësi të rinjve që jo vetëm të botojnë veprat e tyre të para, por dhe të lexohen nga një juri profesionistësh, çka është e rëndësishme për çdo krijues të ri. Fituesit e këtij Fondi promovohen në aktivitete të ndryshme nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Neritana Kraja