Skema Kombëtare e Mbështetjes, rriten aplikimet për mbarështimin e bletarisë
2023-04-17 14:53:55

Bletaria (Foto Atsh)

Bletaria (Foto Atsh)

Këtë vit pati  rritje të ndjeshme të numrit të fermerëve që aplikuan për subvencione direkte në mbarështimin e bletarisë nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) bëri të ditur se 3899 fermerë në shkallë vendi kanë aplikuar “Për mbarështimin e bletarisë”, ose mbi 900 më shumë se vjet, citon “ATSH”.

Për mbarështimin e bletarisë fermerët do të subvencionohen në vlerën deri në 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.

Sipas AZHBR-së, pas mbështetjes me naftë dhe blegtorisë, bletaria renditet e treta, për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues.

Skema Kombëtare është një ndër politikat mbështetëse financiare, që qeveria shqiptare zbaton prej disa vitesh për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë.

Aplikimet për subvencione këtë vit u mbyllën më 11 prill. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numri i total i aplikimeve arriti në 68,647 aplikime nga 58,039 që ishte numri i tyre në 2022.

Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2022, prodhimi i mjaltit në Shqipëri arriti në afro 5 mijë ton.  (Fatosi)