Foto nga Xinhua
Për vizitën e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva në Kinë, mediat dhe qarqet e ndryshme braziliane kanë bërë vlerësime të larta pozitive. Njerëzit janë të mendimit që krerët e shtetit të Kinës dhe Brazilit kanë përcaktuar drejtimin e qartë të bashkëpunimit dypalësh në fazën e ardhshme dhe kanë drejtuar hapjen e një të ardhmeje të re në marrëdhëniet dypalëshe, thuhet në një koment të CMG-së.
Sivjet është 30-vjetori i vendosjes së partneritetit strategjik Kinë-Brazil, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në këtë moment të rëndësishëm, presidenti Lula bëri një vizitë shtetërore në Kinë nga 12 deri më 15 prill, çka ka tërhequr vëmendjen e madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Nga deklarata e përbashkët e publikuar pas bisedimeve mes dy krerëve të shtetit mund të shihet se vizita e Lulës ka pasur sukses të plotë. Kryetari i shtetit kinez Xi Jinping u shpreh që Kina është e gatshme që, bashkë me Brazilin, të hapë të ardhmen e re të marrëdhënieve dypalëshe në epokën e re. Ndërsa presidenti Lula tha që forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve me Kinën është dëshira e fortë e institucioneve legjislative dhe qarqeve të ndryshme të Brazilit.
Kina dhe Brazili janë vendet më të mëdha në zhvillim dhe ekonomi të reja të rëndësishme përkatësisht në hemisferën lindore dhe atë perëndimore. Edhe pse ndodhen larg njëri-tjetrit, të dy vendet kanë pasur lidhje për një kohë të gjatë. 200 vjet më parë, fermerët kinezë të çajit shkuan në Brazil për t'u mësuar banorëve vendorë mbjelljen e çajit. Pas krijimit të Kinës së Re, dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike më 15 gusht 1974. Presidenti Lula ka bërë katër herë vizitë në Kinë dhe çmohet si një “mik i vjetër i popullit kinez”.
Foto nga Xinhua
Në bisedimet e 14 prillit, kryetari Xi shtjelloi besimin politik dhe lidhjet strategjike mes Kinës dhe Brazilit me anë të “tre vendosmërive”, ndërsa presidenti Lula shprehu shpresën që marrëdhëniet ndërmjet Brazilit e Kinës do të kalojnë përtej thjesht lidhjeve tregtare. Dy liderët shtetërorë përdorën së bashku shprehjen “lartësi strategjike” për të përshkruar marrëdhëniet dypalëshe. Kjo tregon që besimi politik dypalësh ka mbërritur në një nivel të ri dhe, në epokën e re, marrëdhëniet Kinë-Brazil do të kenë një bazë më të fortë, vijon komenti i CMG-së.
Presidenti Lula e vlerësoi lart modernizimin e stilit kinez. Ai tha që Brazili tani po përpiqet të krijojë "rrugën braziliane të modernizimit". Pala kineze, nga ana e saj, shprehu gatishmërinë për të diskutuar integrimin e nismës “Një brez, një rrugë” dhe programit brazilian “Riindustrializimi”. Dy palët nënshkruan dokumente bashkëpunimi në tregti, investime, ekonominë digjitale dhe inovacionin tekniko-shkencor. Kjo do të thotë që Kina dhe Brazili po zgjerojnë pandërprerë fushat e bashkëpunimit.
Këtë herë në Kinë, presidenti Lula bëri vizitë në qendrën e kërkimit të "Huawei"-t në Shangai dhe pati takim me përgjegjësin e kompanisë më të madhe prodhuese të makinave elektrike në Kinë, BYD. Nga ekonomia me karbon të ulët, ekonomia digjitale e teknologjitë e telekomunikacionit deri në fushën e aviacionit dhe të hapësirës ajrore, Kina dhe Brazili po zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në sektorët e teknologjive të reja dhe të larta. Kjo ka luajtur rolin e një shembulli për vendet në zhvillim që dëshirojnë të thyejnë monopolin teknologjik te vendeve të zhvilluara.
Foto nga Xinhua
Marrëdhëniet kino-braziliane kanë kaluar përtej sferës dypalëshe dhe po luajnë një rol nxitës për përmirësimin e qeverisjes globale.
Më 13 prill në Shangai, presidenti Lula ishte i pranishëm në ceremoninë e marrjes së detyrës prej presidentes së re të Bankës së Re të Zhvillimit, Dilma Rousseff, duke thënë: “Përse këto vende duhet medoemos të bëjnë pagesa me dollarë amerikanë? Përse të mos përdoret RMB-ja ose monedha të tjera?”
Në fund të marsit, qeveria braziliane njoftoi që Brazili dhe Kina kanë arritur një marrëveshje mbi përdorimin e monedhave vendore. Sipas deklaratës së përbashkët të publikuar këtë herë, të dy palët kanë rënë dakord që të thellojnë dialogun financiar ekonomik, të shtojnë tregtinë me monedhat vendore dhe të nxisin bashkëpunimin në fushën e financimit të vazhdueshëm. Analistët vënë në dukje që kjo do të nxitë lehtësimin e tregtisë e të investimeve ndërmjet Kinës e Brazilit dhe do të jetë në të mirë të tregtisë globale.
Krahas kësaj, gjatë bisedimeve të tanishme, të dy palët u shprehën që dialogu dhe bisedimet janë rruga e vetme për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe duhet të inkurajohen e të mbështeten të gjitha përpjekjet në të mirë të zgjidhjes paqësore të krizës. Kjo shihet si një thirrje për paqe bashkërisht nga Kina dhe Brazili, e komentin e saj CMG-ja. (Jiang Lei)