Media britanike: Ekspozohen dështimet diplomatike të administratës së Biden-it
2023-04-17 19:53:23

Në uebsajtin e gazetës britanike “The Times” u publikua të premten artikulli “Rrjedhja e sekreteve të Pentagonit zbulon dështimet diplomatike të Biden-it” nga Gerald Baker. Në vijim është teksti i plotë.

Për presidentët amerikanë, me ose pa prejardhje nga Irlanda, ky vend i vjetër mund të ofrojë gjithmonë një mënyrë të besueshme arratisjeje nga realiteti. Udhëtimi arratisës i Biden-it në Irlandë këtë javë ka një qëllim veçanërisht pragmatik. Vizita e tij u bë në një kohë kur ngjarjet e botës reale nënvizojnë rënien e dukshme të statusit të superfuqisë së ShBA-së nën udhëheqjen e tij. Ndërsa ai tha fjalë të urta njëra pas tjetrës, ShBA-ja po bëhet gjithnjë e më e pafuqishme në fushat kryesore të sigurisë globale: Europë, Lindjen e Mesme dhe Azi.

Poshtërimi i fundit është një seri rrjedhjesh informacioni, çka zbulon pështjellimin strategjik, paaftësinë dhe dobësinë e Uashingtonit. Rrjedhja e informacionit jo vetëm ka dëmtuar rëndë reputacionin e shërbimeve amerikane të zbulimit dhe besimin e njerëzve te siguria informative dhe e komunikimit të ShBA-së, por gjithashtu ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe aleatëve të rëndësishëm, si Mbretëria e Bashkuar, Izraeli dhe Koreja e Jugut. Dokumentet e zbuluara tashmë kanë vënë në siklet qeveritë e këtyre vendeve.

Biden-i i ka vënë të gjitha kartat e ShBA-së dhe NATO-s në luftën me ndërmjetës kundër Rusisë. Humbja do të ishte një katastrofë humanitare e politike për Ukrainën, si edhe një goditje e rëndë për besueshmërinë dhe udhëheqjen e ShBA-së. Kohët e fundit, kjo udhëheqje u dëmtua më tej: presidenti francez tha se Europa nuk duhet të jetë vetëm ndjekëse e politikave të ShBA-së ndaj Kinës. Ndërkohë, Kina nxiti rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Arabisë Saudite e Iranit, gjë që është një sinjal përbuzjeje nga Pekini dhe Riadi për ndikimin e ShBA-së. Në Azi, qëndrimi i ShBA-së është ende "i ashpër në gjuhë, por i butë në praktikë".

Megjithatë, ndërsa fuqia e Amerikës zbehet kontinent pas kontinenti, kundërshtarët e saj përparojnë hap pas hapi dhe aleatët e saj po marrin parasysh zgjedhje të tjera, Biden-i ka një ngushëllim: ai mund të zotërojë përgjithmonë qytetin irlandez Dundalk. (Li Huailiang/Artan)