Sfidat me të cilat përballet industria e bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri janë trajtuar këto ditë në Konferencën e 4-t Kombëtare. Kryetari i Shoqates, Filip Gjoka theksoi nevojën e koordinimit të veprimeve nga fermeri e individi, që grumbullon deri tek përpunuesi dhe eksportuesi. Në një prononcim për mediat ai shtjellon gjerësisht risitë dhe objektivat e kësaj industrie
Sfidat e industrisë së bimëve mjekësore dhe aromatike
Është mbajtur Konferenca e katërt kombëtare e Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Shqipëri, ku mes përfaqësuesve të qeverisë janë parashtruar kërkesat kryesore nisur nga sfidat aktuale që përballen.
Kryetari i Shoqates, Filip Gjoka theksoi nevojën e koordinimit të veprimeve nga fermeri e individi, që grumbullon deri tek përpunuesi dhe eksportuesi. Sipas ekspertit Gjoka, Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike ka ardhur nga viti në vit në rritje falë eksperiencës së 32 viteve të ekzistencës së saj.
Gjoka vlerësoi mbështetjen me financime të ndryshme që janë injektuar në disa kompani nga grantet e qeverisë, fondet e Bashkimit Europian dhe organizata të ndryshme joqeveritare.
Bime mjeksore (Foto albinfo)
Shoqata e Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike thotë se nga rreth 67 milion dollarë eksporte që realizojnë sot, kemi rezerva te mjaftueshme që brenda 3 viteve industria jonë të shkojë në 100 milion dollarë eksporte.
“Sfidat që kemi aktualisht; Largimi i grumbulluesve nga zonat rurale në zonat urbane si dhe drejt emigacionit. Cilësia e lëndës së parë që prodhojme shpesh është e papranushme. Përdorimi i pesiticideve pa kriter dhe ndotja parcelave dhe bimëve të egra që rriten afër kulturave bujqësore. Bimët helmuese, të cilat rriten bashkë me bimët tona. Bashkimi Europian ka vendosur rregulla strikte. Ndotja e bimëve gjatë tharjes afër rrugëve apo bagëtive prish cilësinë e produkteve. Mungesa e makinave të tharjes, të karelave dhe rrjetave tharëse. Ndotja e bimëve kur futen në thasë të papërshtatshëm, ku më parë ka pasur ure, pleh kimik, miell, krunde etj. Paketimi pa u tharë mirë bima. Mungesa e laboratorëve të akredituar, ku të bëjmë analizat me kosto më të ulët se sa jashtë vendit”- shprehet Gjoka.
Kritika ka edhe për fondet.
“Fondet e pamjaftueshme në mbështetje të fermerëve në kultivimin e bimëve mjekësore. Rendimenti shumë i ulët në këto sektorë, mungesa e makinerive, sidomos makinerive korrëse për disa bimë dhe të tjera makineri që mund të rrisin prodhimin. Por krahas këtyre problemeve që ju parashtrova duhet të jemi të bashkuar rreth këtyre sfidave të mëdha që kemi hasur. Kjo në të mirë të punës të të gjitha hallkave, që nga individi grumbullues e fermeri e deri te përpunuesit e eksportuesit, të cilët kanë punën më të vështirë pasi përballen me blerësit tanë kudo nëpër botë.”
Një lajm i mirë, sipas kreut të shoqatës së Industrive të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, ishte bashkimi pranë kësaj shoqate dhe i kompanisë më të madhe në botë Martin Bauer. Stafi i saj nga Bavaria e Gjermanisë po jep kontribut në rritjen e cilësisë së bimëve mjekësore shqiptare.
Bimët mjekësore aromatike (Foto Gazeta Shëndeti)
“Martin Bauer përmes përfaqësuesit të tyre në Shqipëri Dr. Sazan Çeliku, ka dërguar 500 postera që do ju vihen në dispozicion anëtarëve të shoqatës sonë për të diktuar dhe eliminuar barërat e këqija/hemuese, që po rrezikojnë shitjet tona. Shoqata AMAP do ta vazhdojë bashkëpunimin me Martin Bauer në luftën kundër PA/TA. Kjo kompani, nëpërmjet importeve të bimëve mjekësore shqiptare, sjell në vendin tonë dhjetra milionë euro në vit prej 46 vitesh prezencë të tyren në Shqipëri. I dërgojmë falënderimet tona Alfred Zink dhe gjithë stafit të tyre dhe i sigurojmë që shoqata jonë do e punojë që ky bashkëpunim të shkojë shumë gjatë”- tha Gjoka.
Problem është kthimi pas i produkteve shqiptare.
“Vetëm për vitin 2022 janë kthyer mbrapsht nga Gjermania, Franca e vende të tjera mbi 50 kamjonë me bimë mjekësore, duke sjellë mjaft problem për eksportuesit e duke shënuar humbje në bilancet e tyre. Prandaj duhet të realizohet cilësia siç e kërkojnë blerësit tanë dhe rruga e shpëtimit është të reflektojmë mbi çfarë po bisedojmë dhe t’i vemë në praktikë udhëzimet e BE. Bashkimi Europian ka vendosur që prej 2 viteve rregulla strikte mbi normën e lejuar të bimëve helmusese në bimët mjekësore si për çajrat si për bimët si përdoren në farmaci. Dhe po diskutohet që brenda këtij viti këto regulla t’i vendosin edhe në SHBA dhe vështirësitë e industrisë sonë do jenë akoma më të mëdha, pasi nivelet e pranuara të vendosura për përmbajtjen e këtyre bimëve janë shumë ta ulta”
Përfaqësues të këtij sektori kanë paraqitur kërkesat e tyre për qeverinë në përmirësimin e sektorit, reduktimin e taksave dhe lehtësi të tjera.
“Të ushtroni ndikimin tuaj për krijimin e një drejtorie apo njësie specifike pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zhvillimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, e cila bashkëpunojë ngushtësisht me sektorin e përpunimit, grumbullimit dhe eksportimit të bimëve mjekësore dhe aromatike të vendit tonë. Dhe së bashku të hartojmë politikat dhe orientimin e fermerëve. Të ushtroni ndikimin tuaj pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vendosjen në hartat bujqesore të vendit të tokave djerrë, me qëllim që të na mundësohet të orientojmë më mirë fermerët dhe individët që të rrisin sipërfaqet e kultivimit të bimëve aromatike dhe mjekësore dhe sidomos për bimet organike. Duke qenë se bimët mjeksore kanë volum të madh, duke zënë sipërfaqe magazinash të konsiderueshme, të ushtroni ndikimin tuaj pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që kjo e fundit t’i propozojë që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe drejtuesit e Bashkive, që në paketën fiskale 2023 të ulë taksa vjetore për magazinat dhe ambjentet që grumbullojnë, përpunojnë dhe exportojnë bimët mjekësore dhe aromatike, duke ulur ndjeshëm kostot e kësaj industrie dhe duke e bërë më konkurruese atë. Kjo taksë mos të jetë sipas zonave 0.5-1 euro për metër katror.”- kërkon shoqata e IBMA.
Lejet e ndërtimit për subjektet që merren më magazinimin dhe grumbullimin e bimëve mjekësore duhen lehtësuar tha Filip Gjoka.
Përdorimi i bimëve mjekësore (Foto Dritare.net)
“Të ushtroni ndikimin tuaj pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për shkurtimin e procedurave të lejeve të ndërtimit për ato subjekte që duan të ndërtojnë magazina për tharjen dhe ruajtjen e bimëve mjekësore. Në veçanti, për magazinat me konstruksione metalike, të cilat janë në pronësi të subjektit, leja duhet të jepet brenda 15 ditëve dhe taksa për lejet e ndërtimit të jetë jo më shumë se 1 euro metër .Në projekt- buxhetin e vitit 2024 të planifikohen subvencionime më të mëdha për fermerët që kultivojnë bimë mjekësore dhe për kultivimet organike, subvencionimi të jetë dyfish krahasuar me kultivimet konvencionale.”
Në këtë industri janë të punësuar mbi 70 mijë njerëz: Individë, fermerë, grumbulles që shumica veprojnë si punonjës sezonalë. Një pjesë e këtyre njerëzve janë nxenës shkollash e pensionistë që ndihmojnë familjet e tyre gjatë pushimeve verore. Për një pjesë të mirë, në disa zona të vendit tonë është mundësia e madhe që nga bimët mjekësore.