Krifca: “Slow food” filozofia e duhur e prodhimit!
2023-04-17 15:13:55

Vitet e fundit në Shqipëri “Slow food” po konsiderohet si filozofia e duhur e prodhimit, deklaroi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e pranishme në hapjen e panairit “Slow Food” në Shtutgard të Gjermanisë, shkruan “RTSH”. Sipas ministres shqiptare, rritja e treguesve ekonomikë duhet të kalojë domosdoshmërish nga cilësia bazuar në traditat ushqimore të vendit, por edhe në ruajtjen e ekosistemeve mjedisore.

Ministrja Krifca ne Panairin e Gjermanise (Foto Atsh)

Ministrja Krifca ne Panairin e Gjermanise (Foto Atsh)

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Krifca e vuri theksin te fuqizimi i produktit shqiptar në tregun ndërkombëtar nëpërmjet certifikimit të produkteve tradicionale. Ajo tha se “Slow Food” tashmë është mbrojtësi kryesor i biodiversitetit në Mesdhe.

“Slow Food internacional” është sot një nga lëvizjet më me ndikim në botën e prodhimit, ushqimit dhe mbi të gjitha mendimit. 37 vite më parë, kur nisi kjo lëvizje, pakkush besonte se do të bëhej kampion i prodhimit të qëndrueshëm dhe mbrojtësi kryesor i biodiversitetit në Mesdhe dhe më gjerë”, u shpreh ministrja Krifca.

Ajo evidentoi se, “Slow Food” në këto dekada ka ndërtuar një filozofi të re e cila ndikon në aspektin personal, kombëtar dhe global të marrëdhënies së shoqërisë sonë me ushqimin.

Ministrja Krifca tha se Shqipëria ka filluar një përpjekje të rëndësishme për të identifikuar, njohur dhe certifikuar produktet e territorit.

Ajo tha se një pjesë të rëndësishme të tyre pjesmarrësit në panairin e Shtutgartit, mund ta gjejnë në pavijonin e Shqipërisë.

Në Panairin e Shtutgardit, marrin pjesë mbi 700 ekspozues, që kanë sjellë produkte të grurit, mishit, peshkut, frutave, perimeve, bimëve aromatike dhe mjekësore dhe sigurisht ëmbëlsirat. Gjithashtu këtu gjenden mbi 150 etiketa verërash dhe 50 prodhues të dedikuar.

Stenda e Shqipërisë në këtë Panair ku prezantohen 11 prodhues të talentuar ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë të cilët po shtojnë interesin për ta parë Shqipërinë në të gjitha dimensionet që ajo afron, gjeografik, të peizazhit e bukurive natyrore, ku padyshim gravitetin e tërheq kulinaria autentike tradicionale shqiptare. (Fatosi)