Kina dënon komentet e papërgjegjshme të ministrave të jashtëm të G7-s për mbi Tajvanin
2023-04-17 20:41:41

foto nga

Selia e Ministrisë së Punës së Jashtme të Kinës / CFP

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës theksoi të hënën se është e papërgjegjshme që të përshkruhet kundërshtimi i veprimeve përçarëse për “pavarësinë e Tajvanit” si ndryshim i statukuosë në ngushticën e Tajvanit.

Ministrat e jashtëm të G7-s u mblodhën të dielën në Karuizawa të Japonisë. Ata thanë që vendet e G7-s kundërshtojnë çdo orvatje të njëanshme për ndryshimin me forcë të statukuosë në ngushticën e Tajvanit, duke ritheksuar rëndësinë e paqes dhe të qëndrueshmërisë në këtë zonë.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin vuri në dukje: “Nëse jeni vërtet të shqetësuar për gjendjen në ngushticën e Tajvanit, duhet të zbuloni cili është shkaku rrënjësor i tensionit në këtë zonë.”

Faktet tregojnë se forcat për “pavarësinë e Tajvanit” në ishull, të toleruara dhe të përkrahura nga forcat e jashtme, kanë nxitur me të gjitha forcat aktivitetet përçarëse, të cilat po dëmtojnë statukuonë në ngushticën e Tajvanit dhe janë shkaku thelbësor i tensioneve në këtë ngushticë, tha Wang-u.

Këmbëngulja me vendosmëri në parimin e “Një Kine” dhe kundërshtimi i prerë i “pavarësisë së Tajvanit” janë të domosdoshme për mbrojtjen e qëndrueshmërisë në ngushticën e Tajvanit dhe për paqen e qetësinë e rajonit, shtoi ai.

Zëdhënësi vuri në dukje se ka disa vende që thonë se përkrahin politikën e “Një Kine”, por tolerojnë aktivitetet separatiste të forcave të “pavarësisë së Tajvanit”, në mënyrë të hapur ose të fshehur.

Këto vende duhet ta kuptojnë që problemi i Tajvanit është punë e brendshme e Kinës dhe në të nuk lejohet asnjë ndërhyrje e jashtme, vuri në dukje ai.

Për sa i përket statukuosë në ngushticën e Tajvanit, Wang-u tha që, megjithëse të dyja brigjet e ngushticës së Tajvanit nuk janë ribashkur ende, fakti që pjesa kontinentale dhe Tajvani i përkasin një e së njëjtës Kine nuk ka ndryshuar dhe sovraniteti kombëtar i Kinës e integriteti i saj territorial nuk janë ndarë kurrë.

Wang-u u shpreh gjithashtu se kthimi i Tajvanit në Kinë është një pjesë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore dhe ai bëri thirrje për mbrojtjen e këtij rendi. (Wang Lei/ Artan)