Balluku: Skavica dhe porti i lundrueshëm i Vlorës do të kenë ndikim në gjithë Ballkanin
2023-04-16 11:45:39

Foto nga Facebook Belinda Balluku

Zv.kryeministrja, njëherësh Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku zhvilloi bisedime me zëvendësndihmës sekretarin amerikan dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një tryezë ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor.

Balluku tha se qeveria shqiptare po punon për të forcuar sektorin e energjetik, ku projektet madhore si Skavica dhe porti i lundrueshëm i Vlorës do të kenë një ndikim të madh jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, shkruan “RTSH”.

Balluku ka vlerësuar mbështetjen që SHBA po i jep Shqipërisë në projekte strategjike.

“Gjatë takimit me Gabriel Eskobar diskutuam mbi bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, projektet që po avancojmë me mbështetjen e SHBA-së, si Skavica dhe porti i lundrueshëm i Vlorës, me impakt në të gjithë Ballkanin. E njoha me objektivat dhe hapat që qeveria shqiptare po ndërmerr në sektorin energjetik, por edhe mbi projekte të tjera strategjike si porti i Durrësit”, shkroi zv.kryeministrja Balluku në një postim në rrjetet sociale. (Irma)