Destatis: Inflacioni gjerman ra në 7.4 për qind në mars
2023-04-16 11:55:36

Foto nga VCG

Inflacioni në Gjermani u ngadalësua në 7.4 për qind në mars, duke rënë nën 8 për qind për herë të parë që nga gushti 2022, sipas shifrave të konfirmuara të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis), përcjell “Xinhua”.

“Shkalla e inflacionit është ngadalësuar, por mbetet në një nivel të lartë. Familjet e ndjenë veçanërisht ndikimin e një rritjeje tjetër të çmimeve të ushqimeve në mars”,- tha në një deklaratë presidentja e “Destatis”, Ruth Brand.

Pas çmimeve të energjisë, çmimet e ushqimeve tani po nxisnin inflacionin në ekonominë më të madhe të Europës. Ato u përshpejtuan në mars, me 22.3 rritje në baza vjetore, sipas “Destatis”. Ashtu si në muajt e mëparshëm, rritje më të larta të çmimeve janë shënuar për të gjitha grupet ushqimore.

Çmimet e energjisë, nga ana tjetër, u ngadalësuan ndjeshëm dhe u rritën vetëm 3.5 për qind nga viti në vit. “Destatis” theksoi se shifra e ulët ishte subjekt i një efekti bazë për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të vitit të kaluar pas fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë.

Masat e qeverisë, të tilla si një frenim masiv prej 200 miliardë eurosh (221 miliardë dollarë amerikanë) për energjinë elektrike dhe gazin natyror, kanë ulur gjithashtu çmimet e konsumit. “Zhvillimi i përgjithshëm i çmimeve të energjisë, megjithatë, ndikohet nga shumë faktorë, veçanërisht çmimet e blerjeve ndërkombëtare”,- vuri në dukje “Destatis”.

Shoqata e Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) paralajmëroi se vetëm 41 për qind e kompanive industriale të vendit synojnë të investojnë jashtë vendit për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe një ngadalësimi të ekonomisë globale. Kjo është shifra më e ulët që nga viti 2009.

Në të njëjtën kohë, pothuajse çdo kompani e tretë që dëshiron të investojë jashtë vendit po e bën këtë si përgjigje ndaj një strukture të përkeqësuar të kostos në Gjermani. “Kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për politikëbërësit për të përmirësuar kushtet në Gjermani si një vend biznesi”,- tha në një deklaratë shefi Ekzekutiv i Tregtisë së Jashtme të DIHK, Volker Treier. (Irma)