I dërguari i OKB-së u kërkon grupeve të armatosura në Kolumbi të angazhohen në bisedimet e paqes
2023-04-16 14:12:38

Foto nga VCG

I dërguari i lartë i OKB-së për Kolumbinë, Carlos Ruiz Massieu, u bëri thirrje grupeve të armatosura në Kolumbi që të angazhohen dhe të promovojnë dialogun me synimin për të reduktuar dhunën dhe për të konsoliduar paqen në vend.

“Humbja tragjike e jetëve njerëzore së fundi në Kolumbi theksoi nevojën urgjente që palët të bëjnë përparim në negociimin e një armëpushimi dypalësh”,- tha Massieu në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kolumbinë, citon “Xinhua”.

Ai vuri në dukje se pas gjashtë dekadash konflikti të armatosur, një mjedis i favorshëm për paqen nuk do të krijohet përmes më shumë gjakderdhjes midis kolumbianëve, përkundrazi.

“Në këtë drejtim, u bëj thirrje të gjithë aktorëve të armatosur të paligjshëm që të mos humbasin mundësinë e ofruar nga ndjekja e guximshme e paqes përmes dialogut”,- tha Massieu, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe kreu i Misionit të Verifikimit të OKB-së në Kolumbi.

Massieu informoi Këshillin e Sigurimit për proceset e vazhdueshme të dialogut të paqes midis qeverisë kolumbiane dhe disa prej grupeve të armatosura.

Ai tha se dialogu dhe procesi i armëpushimit janë duke u zhvilluar midis qeverisë dhe grupit të vetidentifikuar si Komanda e Lartë Qendrore-FARC, bisedime të cilat ai i përshkroi si të rëndësishme.

Sipas Massieu, bisedimet midis qeverisë kolumbiane dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) gjithashtu vazhduan të përparojnë, pavarësisht një sulmi nga anëtarët e dyshuar të ELN në Kolumbinë verilindore më 29 mars, i cili rezultoi me vdekjen e të paktën nëntë ushtarëve, duke ngritur shqetësime se incidenti mund të rrezikojë negociatat.

Ai tha se pas dy cikleve të para të dialogut në Venezuelë dhe Meksikë, raundi tjetër i bisedimeve midis qeverisë kolumbiane dhe ELN do të zhvillohet në Kubë muajin e ardhshëm. (Irma)