OKB: Mbi 26.000 emigrantë vdiqën ose u zhdukën në Mesdhe që nga viti 2014
2023-04-16 10:00:55

Foto nga VCG

Mbi 26.000 njerëz kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë kalimit të Mesdheut që nga viti 2014. Të dhënat e zyrës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, cituar nga “Xinhua”, tregojnë se më shumë se 20.000 kanë vdekur në rrugën qendrore të Mesdheut, e cila konsiderohet si një nga rrugët më vdekjeprurëse të migrimit në botë.

Volker Turk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, shprehu shqetësimin për situatën e rrezikshme me të cilën përballen emigrantët dhe azilkërkuesit që përpiqen të kalojnë Mesdheun qendror dhe kërkoi veprim të koordinuar për të mundësuar shpëtimin e tyre të shpejtë.

“Ne po shohim një rritje të madhe të numrit të njerëzve të dëshpëruar që vënë jetën e tyre në rrezik të madh”,- tha Turk në një deklaratë për shtyp.

Ai u kërkoi shteteve të hapin më shumë kanale të rregullta emigracioni, të rrisin ndarjen e përgjegjësive, të marrin masa për zbarkimin e sigurt dhe në kohë të të gjithë njerëzve të shpëtuar në det dhe të sigurojnë monitorim dhe mbikëqyrje të pavarur të politikave dhe praktikave të lidhura me emigracionin.

Italia ka raportuar mbërritjen e rreth 31.300 emigrantëve deri tani këtë vit, nga rreth 7900 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për të kontrolluar krizën, Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën. Turk vuri në dukje se çdo politikë e re nën gjendjen e jashtëzakonshme duhet të jetë në përputhje me detyrimet e Italisë për të drejtat e njeriut.

“Përvoja na mëson se miratimi i një linje më të ashpër për frenimin e emigrimit të parregullt nuk do të parandalojë nisjet, por përkundrazi do të rezultojë në më shumë vuajtje njerëzore dhe vdekje në det. Në vend të kësaj, do të ishte shumë më mirë që vendet të sigurojnë shtigje të sigurta dhe të rregullta për emigrimin dhe të parandalojnë ato të panevojshme”,- tha ai. (Irma)