Kryeministri Li theksoi bashkëpunimin ekonomik në takimin me presidentin brazilian
2023-04-16 15:05:19

Foto nga Xinhua

Kina dhe Brazili duhet të konsolidojnë dhe zgjerojnë më tej bashkëpunimin ekonomik për të çuar marrëdhëniet dypalëshe në nivel të ri, theksoi kryeministri kinez Li Qiang gjatë takimit të së premtes me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në Pekin.

Li vuri në dukje se këtë vit është 30-vjetori i krijimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Ai tha se Kina është e gatshme të thellojë më tej besimin e ndërsjellë politik, të forcojë komunikimin strategjik dhe të bashkërendojë strategjitë e zhvillimit me Brazilin për të çuar bashkëpunimin dypalësh në një nivel të ri.

Li u shpreh se si Kina ashtu edhe Brazili janë mbrojtës të multilateralizmit, kontribuues në zhvillimin global dhe përfitues të globalizimit. Ai tha se Kina do të bashkëpunojë me Brazilin për të mbrojtur rendin dhe sistemin ndërkombëtar me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së në thelb, të praktikojë multilateralizëm të vërtetë dhe të shtyjë reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë në drejtimin e duhur.

Nga ana e tij, Lula tha se Brazili dëshiron të thellojë bashkëpunimin me Kinën në fusha  si politika, ekonomia dhe tregtia, arsimi bujqësor, kultura, zhvillimi i qëndrueshëm,  shkenca dhe teknologjia. Ai tha se Brazili është gjithashtu i gatshëm të zgjerojë investimet e dyanshme dhe shlyerjen e monedhës vendase, duke ndihmuar vendin e tij të përshpejtojë procesin e riindustrializimit dhe të promovojë zhvillimin ekonomik dhe social.

Lula tha se Kina është një partner i rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes globale dhe se Brazili do të forcojë komunikimin dhe koordinimin me Kinën në çështjet ndërkombëtare, të mbrojë bashkërisht interesat e vendeve në zhvillim, të forcojë zërat e tyre dhe të ndërtojë së bashku një botë paqësore dhe të qëndrueshme. (Çang Çuo)