Xhaçka takon homologun spanjoll, nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për integrimin europian
2023-04-16 13:59:37

Kryediplomatja shqiptare Olta Xhacka dhe homologu spanjoll (Foto Rtsh)

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, me të cilin nënshkroi një memorandum bashkëpunimi për koordinim të mirë të punës për çështjet e integrimit europian.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, ministrja Xhaçka deklaroi se vizita e ministrit spanjoll i paraprin marrjes nga Spanja të Presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit. Sipas saj, parashikohet që Spanja të mbështesë Shqipërinë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike, shkruan “RTSH”.

“Vizita i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton Shqipërisë dhe rajonit. Ministri Albares  prezantoi linjat kryesore të Presidencës spanjolle. Ndajmë të njëjtin mendim, që zgjerimi nuk është thjesht një instrument i BE-së, por është vetë esenca e Bllokut. E informova homologun Albares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit. Deri në fund të vitit, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e “screening” për të gjithë grup-kapitujt e negocimit”,- deklaroi ministrja Xhaçka.

Po ashtu, ministrja Xhaçka shtoi se gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me politikën e jashtme, teksa tha se mirëpret qasjen e Spanjës ndaj rajonit.

“Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme. Shqipëria mirëpret prioritetet e politikës së jashtme të Spanjës në këtë rajon, në kuadër të Presidencës të Këshillit të BE-së. Mirëpresim faktin që në vitet e fundit politika e jashtme spanjolle është orientuar edhe drejt Mesdheut Lindor, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Forcimi i bashkëpunimit BE-Ballkani Perëndimor tani është bërë më i rëndësishëm se kurrë”, theksoi kryediplomatja shqiptare. (Irma)