Kantautori Kristo Thano drejt famës në Angli
2023-04-16 13:54:55


Kristo Thano është një artist mjaft i talentuar. Që në moshë të vogël ai ka jetuar me familjen në Greqi, ku është aktivizuar me sporte të ndryshme si futboll, not etj. Në moshën 15 vjeçare bashkë me familjen rikthehet në Shqipëri, në qytetin e Fierit. Kristo nisi të studionte për kanto në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”, si dhe aktivizohej me banda të ndryshme të muzikës rock si vokalist, duke kënduar nëpër lokalet e ndryshme të natës në kryeqytet. Më pas ai nisi studimet e larta në Tiranë, dhe rastësisht u bë pjesë e talenteve të reja “X -Factor Albania”, ku spikati  talenti dhe stili i tij i veçantë i të bërit muzikë. Në atë talent show Kristo arriti deri në finale, duke u vlerësuar me vendin e dytë. Kantautori ka marrë pjesë në disa festival si “Top Fest”, Kënga Magjike”, etj. 

Prej vitesh Kristo jeton në Angli ku punon në studion e tij muzikore. Ai realizon këngë për artistë të rinj, por edhe krijime për vete, ku materiali më i ri muzikor mban titullin “Akull”. Në një intervistë për Radio Ejani Kristo Thano na tregon për fillimet e tij në muzikë, materialin më të ri muzikor, por edhe planet për në të ardhmen.

CMG:  Sapo ke publikuar materialin më të ri muzikor që mban titullin "Akull", ku je autori i këngës dhe producenti i saj. Na trego për fabulën e saj dhe si erdhi kjo këngë?

Kristo Thano: Këtë këngë sapo e kam publikuar, por ka nisur vite përpara ndërsa kohët e fundit është formuar stadi i saj final. Është një nga këngët e mia të preferuara dhe flet për disa gjëra që unë vetë i kam kaluar.

CMG: Ti i realizon vetë këngët e tua. Më mire është  kur shkruan për veten apo për të tjerët?

Kristo Thano: Varet. Mendoj se kur realizon këngë për të tjerët, më duket më e lehtë barra. Të paktën për mua kështu është.

CMG: Në këngët e tua  i pasqyron historitë personale?

Kristo Thano: Rreth 70 përqind e rasteve janë histori personale, herë të miat e herë të njerëzve të tjerë. Thjeshtë më ka ardhur ideja dhe kam shkruar. Ndërsa në 30 përqind të rasteve, më vjen natyrshëm të shkruaj tekste.

CMG: Prej disa vitesh ndodhesh në Angli. Si është jeta jote aty?

Kristo Thano: Është normale, si çdo person që ikën emigrant. Diferencë  ka, por jo se ka ndonjë  ndryshim tek unë, jam i njëjti person që kam qenë edhe në Shqipëri. Është një jetë normale, me më shumë angazhime se në Shqipëri, por më pëlqen të jem i angazhuar pasi më jep edhe gjallëri kjo gjë.

CMG: A mund të arrijë një artist i talentuar të ecë në tregun muzikor të huaj vetëm me talentin e tij?

Kristo Thano: Me talentin e tij mund të ecë, por më mbrapa ka nevojë për shumë faktorë të tjerë që të ecë, siç janë, menaxhimi i mirë, mënyra se si komportohet me situata të ndryshme, etj.

CMG: Si kanë qenë fillimet për ty?

Kristo Thano: Fillimet kanë qenë shumë të bukura dhe si zakonisht kanë qenë të vështira. Ishte koha kur nuk dinim gjë rreth marketingut, menaxhimit, etj, por thjeshtë donim të bënim muzikë. Kemi patur zhgënjime plot, por nuk jam i vetmi në këtë fushë. Vështirësi ka kudo në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Dua t’i shoh si gjëra të bukura dhe të vazhdoj ta bëj këtë gjë, sepse kam kujtime të bukura,  por është edhe dashuria për muzikën patjetër.

CMG: Mbi një dekadë më parë ti konkurove në edicionin  e parë  “X -Factor Albania” në Shqipëri, ku me një diferencë të ngushtë votash u pozicionove në vendin e dytë. Si i kujton sot ato momente?  Çfarë do bëje ndryshe po të përsëritej ai konkurs?

Kristo Thano: Ka qenë një nga eksperiencat më të mira që kam pasur në televizion. Uroj që në ardhmen të kem edhe më të mira. Normal që e kam shijuar shumë këtë gjë. Kam kujtime mjaft të bukura dhe fillimet e mia ashtu kanë qenë. Pavarësisht se unë merresha me muzikë edhe përpara atij konkurimi, pasi këndoja nëpër lokale live, pas “X -Factor Albania”, njerëzit filluan të më njihnin masivisht. Ishte diçka e veçantë për mua se nuk e kisha provuar asnjëherë. E kam shijuar dhe nuk besoj se do të bëja diçka ndryshe, sidomos po të isha sërish në atë moshë. Edhe nëse kam bërë ndonjë gabim ja le papjekurisë dhe moshës. Thjeshtë e shihja si një eksperiencë që duhet ta shijoja atëherë dhe atë bëra.

CMG: A do të të shohim në ndonjë duet me mentorin tënd në "X Factor" Alban Skënderaj?

Kristo Thano: Kush nuk do donte një duet me Albanin! Në planet afatshkurta nuk kemi gjë, por më vonë asnjëherë nuk i dihet. Nuk e keni diskutuar si temë dhe nuk  kemi diçka konkrete.

CMG:  Ti ke marrë pjesë në disa kompeticione në vend, por a do të shohim të marrësh pjesë në të ardhmen në ndonjë festival në Shqipëri?

Kristo Thano: Të jem i sinqertë nuk eci asnjëherë me plane dhe momentalisht nuk kam në plan që të marr pjesë në ndonjë festival në Shqipëri, por kjo nuk i dihet sepse gjërat i bëj ashtu siç më vijnë në moment. Ndoshta edhe mund të më shihni, por momentalisht nuk kam diçka.

CMG: Cilat janë objektivat që i ke vënë synimin vetes për të ardhmen ?

Kristo Thano: Objektivat janë të shumta por një 5 përqindsh unë e kam arritur. Është shumë pak, por unë ndjehem mirë se i vë objektiva vetes. Janë të shumta, por jo të gjitha kanë lidhje me muzikën. Normalisht edhe muzika është pjesë  e këtyre objektivave. Është tregu internacional, janë të shumta objektivat për në ardhmen.

CMG: Cili është plani yt në vazhdim?

Kristo Thano:  Plani im në vazhdim është që të bëj muzikë të bukur, të shkruaj muzikë të bukur si shqip ashtu edhe të huaj.


Intervistoi: Sava Lena