Iniciativa e Zhvillimit Global (GDI)
2023-04-16 21:09:07

Foto:VCG

Foto:VCG

Bota ka hyrë në një periudhë të re luhatëse, me rigjallërim të ngadalë ekonomik dhe sfida të ndërlikuara në fusha të ndryshme, ndërsa 1.2 miliardë banorë nga rreth 70 vende ndodhen para krizave ushqimore, energjetike, klimatike dhe të borxheve, duke penguar ecurinë e zbatimit të Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030.

Si reagim në përballjen me këto sfida, Kina ka paraqitur propozimin e saj “Iniciativa e Zhvillimit Global” (GDI) për të përqendruar përpjekjet dhe realizuar objektivat e zhvillimit.

Në shtatorin e vitit 2021, në videofjalimin e mbajtur në debatin e përgjithshëm të legjislaturës së 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti kinez Xi Jinping shpalli këtë nismë të mbështetur mbi gjashtë parime, që përkatësisht janë: dhënia e përparësisë për zhvillim përmes krijimit të partneritetit më të balancuar të zhvillimit; vendosja e popullit në qendër të punës së qeverive me përmirësimin e jetesës dhe nxitjen e të drejtave të banorëve; përmbajtja e zhvillimit gjithëpërfshirës me dhënien e më shumë ndihmave ndaj vendeve në zhvillim, sidomos atyre më të dobëta; nxitja e zhvillimit përmes risive teknologjike; përkushtimi ndaj bashkëekzistencës harmonike mes njerëzimit e natyrës dhe shpejtimin e transformimit në zhvillim të gjelbër; forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha si zbutja e varfërisë, siguria ushqimore, ekonomia digjitale, ndërlidhshmëria infrastrukturore etj.

Deri në fund të vitit të kaluar, kjo iniciativë kishte gjetur mbështetjen e mbi 100 vendeve dhe rajoneve të botës, ndërsa mbi 60 shtete morën pjesë në “Grupin e Miqve të Iniciativës së Zhvillimit Global” të krijuar nga Kina brenda kornizës së OKB-së.

Foto:VCG

Foto:VCG

Rrjedhimisht Kina së bashku me vende të tjera partnere ka vënë në jetë projekte në fushat që vijojnë:

1.    Kina po ndërton një rrjet bashkëpunimi me vendet përkatëse në fusha si bujqësi, arsim, përballim të ndryshimit klimatik etj. Rreth 150 institucione nga gati 40 vende të botës po përgatiten për të krijuar një aleancë të zhvillimit të arsimit profesional. Është krijuar qendra e përballjes me ndryshimet klimatike Kinë-Vende Ishullore të Paqësorit. Kina ka organizuar mbi 1.000 kurse, duke trajnuar mbi 40 mijë specialistë të vendeve të Grupit të Miqve të GDI-së.

2.    Kina ka krijuar Fondin e Zhvillimit Global dhe të Bashkëpunimit Jug-Jug brenda kornizës së OKB-së, duke ofruar financim për projektet e përfshira në GDI. Ka ndarë më shumë fonde për Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit (International Development Association), Fondin Global të Mjedisit (Global Environment Facility), duke çelur fazën e tretë të financimit për Fondin e Bashkëpunimit Jug-Jug Kinë-FAO.

3.    Në përgjigje të rritjes së numrit të të varfërve që vuajnë nga mungesa e ushqimit, Kina ka krijuar më shumë projekte bashkëpunimi në fusha si zbutja e varfërisë, shtimi i prodhimit të drithërave, përmirësimi i kushteve higjienike etj. Ndërkohë, Kina ka dërguar më shumë kontingjente ndihmash urgjente ushqimore për vendet që kanë nevojë për ndihmë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Jo vetëm kaq, por brenda Iniciativës së Zhvillimit Global, Kina po shpejton bashkëpunimin me vende dhe organizata ndërkombëtare në fusha të ndryshme si: zhvillimi i gjelbër, ndarja e të dhënave satelitore, ofrimi i produkteve digjitale që përfshijnë të dhënat globale në fushën ekologjike në ndihmë të vendeve të ndryshme për garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtja e mjedisit etj.