Kryeministri Rama: Kontratë kolektive pune për kompanitë që përfitojnë para nga buxheti i shtetit
2023-04-15 10:43:56

Foto nga RTSH

Kompanitë që do të kërkojnë të marrin tendera apo përfitojnë nga buxheti i shtetit do t’u duhet të paraqesin edhe kontratën kolektive të punës, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë një takimi në Durrës me përfaqesues të sipërmarrjeve.

Sipas kreut të qeverisë, ky veprim ndërmerret për të shmangur abuzimet e kompanive me punonjësit lidhur me pagat dhe kontributet e tyre shoqërore, në mënyrë që të pasqyrohen me realitetin e sektorit dhe të shmanget dhënia e parave nën dorë, shkruan “RTSH”.

“Do të fillojmë hap pas hapi të kërkojmë nga kompanitë që duan të kenë kontrata apo të drejta të marra nga shteti që të kërkojmë kontratën kolektive të punës që janë të drejtat e punonjësve, shumica e kompanive nuk e kanë. Ne nuk kemi sindikata dhe nuk është e drejta e qeverisë që të kërkojnë të tilla, por ne do të kërkojmë që kompanitë të përgatisin kontrata kolektive të punës që të garantojnë të drejtat e punonjësit”, tha Rama.

Sipas tij, mosdeklarimi i plotë i pagës ndikon në kontributet shoqërore, që më pas do të ndikojë edhe në pensionin e punonjësve në të ardhmen.

Lidhur me informimin për rritjen e pagës minimale, kryeministri Rama tha se kapitali njerëzor ka një rëndësi të madhe. Për kryeministrin duhen paga të larta dhe kushte pune në mënyrë që mos të humbasë kjo force pune. (Irma)